(I plotësuar) Erdogan: Arritëm në marrëveshje për krijimin e një zone të lirë nga armatimi në Idlib

Presidenti, Recep Tayyip Erdogan prononcohet për bisedimet me Presidentin Vladimir Putin të mbajtura në Soçi të Rusisë në lidhje me Idlibin.

(I plotësuar) Erdogan: Arritëm në marrëveshje për krijimin e një zone të lirë nga armatimi në Idlib

Presidenti, Recep Tayyip Erdogan dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin gjatë takimit të dytë të realizuar brenda 10 ditëve arritën në marrëveshje për formimin e një zone të çmilitarizuar në rajonin Idlib të Sirisë.

Të dy liderët pas takimit kokë më kokë dhe mes delegacioneve organizuan një konferencë të përbashkët për shtyp.

Nikoqiri i takimit, Presidenti Putin në fjalën e tij bëri të ditur se me mysafirin e tij Presidentin Erdogan, krahas marrëdhënieve tregtare biseduan edhe në lidhje me marrëdhëniet dypalëshe.

Duke vënë theksin në përdorimin e valutave kombëtare gjatë tregtisë, Presidenti Putin njoftoi se projektet e përbashkëta energjetike do të vazhdojnë.

Putin vuri në dukje se në tavolinën e bisedimeve kanë qenë edhe temat e kulturës dhe turizmit, lideri rus tha se tema kryesore e bisedimeve ishte çështja e Idlibit dhe se kanë arritur një marrëveshje të rëndësishme në lidhje me këtë çështje.

Lideri rus vuri në dukje shqetësimet e tij nga sulmet e mundshme ndaj bazave ruse në Siri dhe tha: “Arritëm në marrëveshje që grupet opozitare të tërhiqen së bashku me armatimin e tyre të rëndë në një distancë 15-20km për të formuar një zonë të çmilitarizuar”.

Ndërkaq Presidenti Erdogan shprehu kënaqësinë nga vizita e tij në Rusi ndërsa theksoi se bashkëpunimi dypalësh do të vazhdojë në çdo fushë të bazuar në vullnetin e përbashkët politik.

Erdogan shtoi se me Putinin kanë shkëmbyer mendimet në lidhje me çështjen e Sirisë dhe vijoi duke thënë se “Kemi arritur në marrëveshje që prej 15 tetorit të formohet zona e çmilitarizuar, ku opozitarët dhe forcat e regjimit do të qëndrojnë në pozitat e tyre”.

“Siguria e zonës së çmilitarizuar do të garantohet në koordinim nga forcat turke dhe ruse”, bëri të ditur Erdogan, ndërsa shtoi se në këtë mënyrë është parandaluar një dramë e madhe humanitare në Idlib.

Presidenti gjithashtu uroi që komiteti kushtetues i Sirisë të përfundojë me punimet e tij dhe që populli sirianë të shprehë vullnetin e tij me anë të zgjedhjeve që do të mbahen më pas.

“Grupet terroriste nuk ndodhen vetëm në Idlib. Kërcënimi më i madh vjen nga PYD-ja, fraksioni i organizatës separatiste terroriste PKK në Siri, e cila ndodhet në lindje të lumit Eufrat”, theksoi Erdogan.

Takimi i fundit mes Presidentëve Erdogan dhe Putin ka qenë më 7 shtator gjatë samitit tresh në Teheran të organizuar nën patronazhin e Presidentit të Iranit Hasan Ruhani.



Lajme të ngjashme