Gjermania: Një Turqi e qëndrueshme është në interesin tonë

Një Turqi e qëndrueshme, e begatë dhe demokratike është në interesin e Gjermanisë, deklaroi të enjten Ulrike Demmer, zëdhënëse e Kancelares Angela Merkel...

Gjermania: Një Turqi e qëndrueshme është në interesin tonë

Një Turqi e qëndrueshme, e begatë dhe demokratike është në interesin e Gjermanisë, deklaroi të enjten Ulrike Demmer, zëdhënëse e Kancelares Angela Merkel.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjatë konferencës së përditshme për media në Berlin, zëdhënësja e dytë e qeverisë gjermane nuk konfirmoi dhe as mohoi lajmet e fundit të shtypit, të cilat pretendojnë se Gjermania mund të ndihmojë Turqinë për të parandaluar një krizë financiare.

“Qeveria federale është duke ndjekur nga afër zhvillimet në Turqi. Një Turqi e qëndrueshme, e begatë dhe demokratike është në interesin tonë”, tha Ulrike Demmer.

Disa media elektronike evropiane njoftuan të martën se Gjermania është duke shqyrtuar mënyrat për të ndihmuar Turqinë dhe pohuan se opsionet përfshinin një asistencë të koordinuar evropiane, ndihmë bilaterale ose kredi specifike për projekte nga bankat zhvillimore të kontrolluara nga shteti.

Javën e kaluar, zëdhënësja e qeverisë gjermane tha se Berlini nuk është duke planifikuar ndihmë financiare bilaterale për momentin.

Ajo nuk pranoi të komentonte në mënyrë të detajuar nëse qeveria ka ndryshuar qëndrimin e saj, por tha se nuk ka ndonjë përditësim në lidhje me këtë çështje.

Demmer vuri në pah gjithashtu se duhet të pritet realizimi i bisedimeve të ardhshme të nivelit të lartë midis qeverive gjermane dhe turke.

“Siç e dini, përgatitjet po vazhdojnë. Para vizitës së Presidentit Erdogan, ministri i Financave do të takohet me homologun e tij këtu”, saktësoi ajo duke shtuar se nuk mund t’i parashikojë bisedimet.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, do të realizojë një vizitë kyçe në Gjermani, më 28 dhe 29 shtator.

Para vizitës, ministri turk i Thesarit dhe Financave, Berat Albayrak, pritet të takojë homologun e tij gjerman, Olaf Scholz, në Berlin, më datë 21 shtator.

Gjithashtu ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, është planifikuar të vizitojë Turqinë javën e ardhshme për bisedime mbi raportet ekonomiko-politike ndërmjet dy vendeve dhe çështjet ndërkombëtare.

Të martën, Maas kritikoi sanksionet e Presidentit amerikan, Donald Trump, si dhe politikën e tij të presionit ekonomik ndaj Turqisë.

“Sigurisht, ne evropianët kemi një interes të madh nga një zhvillim ekonomik i qëndrueshëm në Turqi”, tha ai.

Gjermania është partneri kryesor ekonomik dhe tregtar i Turqisë dhe më shumë se 7.500 kompani gjermane janë aktive në Turqi. Në vitin 2017, vëllimi i tregtisë dypalëshe arriti në 37,6 miliardë euro.



Lajme të ngjashme