Çavusoglu: Operacioni i mundshëm ushtarak në Idlib do të jetë fatkeqësi

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu në kryeqytetin Moskë të Rusisë u takua me homologun e tij rus, Sergey Lavrov.

akar-fidan-soygu.jpg
cavusoglu rusya1.jpg

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu bëri të ditur se një zgjidhje e mundshme ushtarake në qytetin veriperëndimor sirian të Idlibit do të ishte fatkeqësi.

Çavusoglu në kryeqytetin Moskë të Rusisë u takua me homologun e tij rus, Sergey Lavrov.

Gjatë konferencës për shtyp të organizuar pas takimit, ministri Çavusoglu tha se me Lavrovin kanë shkëmbyer mendimet në lidhje me konfliktet që po jetohen në Siri.

“Ne duhet të vazhdojmë bashkëpunimin tonë me Rusinë për të vazhduar armëpushimi në Siri”, bëri të ditur Çavusoglu, ndërsa shtoi se "Ruajtja e zonës së deeskalimit në Idlib është e rëndësishme si në aspektin humanitar, ashtu edhe në luftën kundër terrorizmit".

“Një zgjidhje e mundshme ushtarake në Idlib do të shkaktojë fatkeqësi nga aspekti i së ardhmes së Sirisë”, theksoi shefi i diplomacisë turke dhe tha se sulmi ndaj Idlibit do të shkaktojë vdekjen e qindra mijëra njerëzve si dhe do të detyronte në shpërngulje me miliona të tjerë.

Kushti për zgjidhje politike të krizës në Siri është hartimi i një kushtetute të re, bëri të ditur Çavusoglu dhe shtoi se takimi tresh i radhës në formatin e Soçit do të mbahet gjatë ditëve të ardhshme në Iran.

Duke prekur edhe në marrëdhëniet me Rusinë, ministri Çavusoglu tha: “Jemi duke bërë përpjekje intensive që marrëdhëniet tona ti ngremë në nivelin më të lartë në çdo fushë. Këto marrëdhënie të afërta dhe miqësia mes dy vendeve tona shkakton zilinë e disa vendeve. Rusia për ne është një partnere strategjike”.    

Ai potencoi edhe në rritjen e vazhdueshme të turistëve rusë dhe tha se kanë kënaqësi që këtë vit do të mirëpresin 6 milionë turistë nga Rusia.

Ndërkaq shefi i diplomacisë ruse, Sergey Lavrov tha se dëshirojnë që në Siri të vendoset paqja dhe stabiliteti dhe shtoi se Idlibi është një problem i gjithanshëm ku ndodhen të strehuar civilët dhe opozitarët e armatosur.

Duke vënë në dukje që Rusia dhe Turqia do të vazhdojnë të bëjnë përpjekje të përbashkëta për kthimin e sigurt të refugjatëve sirianë në shtëpitë e tyre, Lavrov tha se në mesin e planeve të përbashkëta është shfarosja e terroristëve.

Lavrov preku edhe në marrëdhëniet dypalëshe, ku tha se kanë arritur në marrëveshje për formimin e mekanizmave të përbashkëta për konsultime për lehtësime në lëshimin e vizave për qytetarët turq, ndërsa shtoi se së shpejti do të liberalizohen vizat për bartësit e pasaportave të shërbimit dhe atyre personal.

Në kuadër të kontakteve të tij në Rusi, Mevlut Çavusoglu do të pritet në takim edhe nga Presidenti Vladimir Putin.



Lajme të ngjashme