Turqia quan skandaloz vendimin e Greqisë për puçistin e FETO-s

MPJ e Turqisë ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë Administrative të Greqisë, e cila la në fuqi vendimin e mëparshëm lidhur me kërkesën për azil të Suleyman Ozkaynakçi, puçistin e arratisur të FETO-s.

Turqia quan skandaloz vendimin e Greqisë për puçistin e FETO-s

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Turqisë e ka quajtur skandaloz vendimin e Gjykatës së Lartë Administrative të Greqisë (Këshilli i Shtetit), e cila i dha azil Suleyman Ozkaynakci, puçistit të arratisur të FETO-s.

“Këshilli grek i Shtetit ka vënë nënshkrimin e tij në një vendim tjetër skandaloz, duke hedhur poshtë kundërshtimin e Qeverisë greke në lidhje me vendimin për ti dhënë azil Sulejman Ozkaynakci, një nga autorët e tentativës së dështuar të 15 korrikut”, thuhet në deklaratën e MPJ-së turke.

“Ky vendim jo vetëm që shkel detyrimet ndërkombëtare të Greqisë për të luftuar terrorizmin, por përbën gjithashtu një shkelje të dispozitave të Konventës së Gjenevës (të 1951) lidhur me Statusin e Refugjatëve”, vazhdon komunikata.

“Duke hedhur poshtë ekstradimin e tradhtarëve puçistë, Greqia ka përgatitur terrenin për vendime të tilla, gjë që fyen ndërgjegjen e kombit turk”, thuhet në vijim të komunikatës.

“Autoritetet greke nuk duhet të lejojnë më tej vendin e tyre të ofrojë një strehë të sigurt për puçistët e pabesë duke përdorur si justifikim gjyqësorin e tyre, i cili shkel madje detyrimet ndërkombëtare të Greqisë duke marrë vendime të paligjshme”,- përfundon komunikata me shkrim të Ministrisë së Punëve të Jashtme.  

Të paktën tetë puçistë të FETO-s nga Turqia u arratisën në Greqi mbrëmjen e tentativës së grushtit të shtetit. Turqia kërkoi ekstradimin e tyre për pjesëmarrje në tentativën e grusht shtetit të 15 korrikut të vitit 2016, pas të cilit qëndron organizata terroriste FETO, kurse ata e kanë mohuar përfshirjen e tyre dhe kanë kërkuar azil në Greqi.

 


Lajme të ngjashme