Çavusoglu: ShBA-ja nuk e kupton se kush është miku i saj i vërtetë

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavushollu (Mevlüt Çavuşoğlu), në vlerësimin që u bëri marrëdhënieve të vendit të tij me ShBA-në tha se, "ShBA-ja nuk e di, nuk e kupton se kush është miku i saj i vërtetë".

Çavusoglu: ShBA-ja nuk e kupton se kush është miku i saj i vërtetë

Në fjalën që mbajti në mbyllje të Konferencës së 10-të të Ambasadorëve në Ankara ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavushollu (Mevlüt Çavuşoğlu), vlerësoi deklaratat negative të presidentit amerikan, Donald Trump për Turqinë.

Pasi nënvizoi se Turqia nuk i ka bërë asnjë gabim ShBA-së, Çavushollu tha se procesi gjyqësor do të funksionojë për cilindo që përballet me ndonjë akuzë.

“Turqia nuk ka mbështetur persona që sulmojnë ShBA-të dhe nuk ka furnizuar me armë organizata terroriste”,- theksoi shefi i diplomacisë turke, ndërsa dha si shembull veprimet e kundërta që ka bërë Amerika si: furnizimi me armë i PYD/YPG-së, zgjatimi i organizatës separatiste terroriste PKK në Siri, organizatë që përbën kërcënim për Turqinë, dhe marrja nën mbrojtje e pjesëtarëve të organizatës terroriste FETO, e cila qëndron prapa tentativës së grushtit të shtetit të 15 korrikut 2016.

"Kush është në kundërshtim me miqësinë, dërgimi i mijëra maunave me armë organizatës terroriste, apo një proces ligjor gjyqësor që vazhdon në Turqi (në lidhje me pastorin amerikan i akuzuar për lidhje me organizatat terroriste FETO dhe PKK), shtroi pyetjen Çavushollu.

Ne ua kemi thënë shume herë bashkëfolësve tanë amerikanë që me Turqinë nuk do të funksionojë gjuha e sanksioneve dhe presioneve, u shpreh ministri i Jashtëm, ndërsa shtoi se në rast se do të ketë një qasje në drejtim të zgjidhjes në kuadër të miqësisë dhe ligjit, atëherë nuk do të jenë të nevojshme tensione të tilla.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) duhet ta kuptojnë që këto punë nuk janë si në një film kaubojsh. Ne nuk luajmë një film me kauboj. Jemi dy vende të mëdha që duhet ti kenë të mira marrëdhëniet mes tyre. Jemi dy vende të mëdha, por duhet të mësojmë si të respektojmë njëri-tjetrin. Respekti nuk bëhet me presion, por me një qasje respektuese”.

Politikat aktuale të ShBA-së nuk mund të parashikohen, këto politika nuk mbështeten as nga Evropa”, është shprehur Çavushollu duke theksuar më tej: "Ne nuk dëshirojmë të kemi probleme me asnjë vend. Asnjëherë nuk lumturohemi kur kemi ndonjë problem me ShBA-të. Ne mund ti zgjidhim lehtë problemet tona me ShBA-të, por jo me qasjen aktuale të saj".

 


Lajme të ngjashme