Ushtria turke realizon misionin e 24-t patrullues në Menbixh të Sirisë

Njësitë e ushtrisë turke vazhdojnë aktivitetet e patrullimit në qytetin verior sirian të Menbixhit, i cili është pjesë e marrëveshjes së arritur mes Turqisë dhe SHBA-së për spastrimin e rajonit nga organizata separatiste terroriste YPG/PKK...

Ushtria turke realizon misionin e 24-t patrullues në Menbixh të Sirisë

Njësitë e ushtrisë turke vazhdojnë aktivitetet e patrullimit në qytetin verior sirian të Menbixhit, i cili është pjesë e marrëveshjes së arritur mes Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për spastrimin e rajonit nga organizata separatiste terroriste YPG/PKK.

Sipas një njoftimi të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Turqisë, trupat turke dhe ato amerikane zhvilluan misionin e 24-t patrullues në mënyrë të pavarur dhe të koordinuar në linjën mes Menbixhit dhe rajonit të çliruar më herët nga terroristët përmes operacionit ushtarak turk, “Mburoja e Eufratit”.

Patrullimi i parë i u realizua më datë 18 qershor.

Marrëveshja ndërmjet Turqisë dhe SHBA-së për Menbixhin synon tërheqjen e organizatës separatiste terroriste, YPG/PKK, nga ky qytet verior i Sirisë.

Akordi në fjalë u njoftua për herë të parë pas një takimi në Uashington, më datë 4 qershor, ndërmjet ministrit të Jashtëm të Turqisë, Mevlut Çavusoglu dhe sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo.

Plani parashikon gjithashtu fillimin e kontrolleve të përbashkëta në këtë qytet nga njësitë ushtarake dhe të inteligjencës turke e amerikane. Tjetër synim i marrëveshjes është formimi i një administrate nga njësitë lokale pas tërheqjes së terroristëve nga Menbixhi.

Nëse modeli rezulton i suksesshëm, Turqia ka paralajmëruar marrëveshje të ngjashme edhe në zonat lindore të Sirisë.

Në gusht të 2016-s, Menbixhi, një qytezë e provincës së Halepit, u pushtua nga organizata separatiste terroriste, YPG/PKK, me mbështetjen e SHBA-së, pas mposhtjes së terroristëve të DAESH-it në këtë zonë.

Vlen të theksohet se mbi 90% e popullsisë së Menbixhit përbëhet nga arabët.



Lajme të ngjashme