Erdogani prezantoi 400 projektet e 100 ditëve të para

Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) prezantoi të premten në Kompleksin Presidencial në Ankara planin e parë të veprimit 100-ditor të Kabinetit Presidencial të Turqisë.

Erdogani prezantoi 400 projektet e 100 ditëve të para

Presidenti Erdoan prezantoi 400 projektet që bëjnë pjesë në programin e Kabinetit Presidencial për 100 ditët e para.

Plani i veprimi përfshin objektiva në shumë fusha e sektorë si: transport, energji, ekonomi, industri, tregti e jashtme, urbanizim, politikë e jashtme, mbrojtje, arsim, shëndetësi, bujqësi, teknologji, turizëm, rini dhe sport.

Programi përfshin edhe masat që do të merren në vijim në lidhje buxhetin dhe financat publike.

"Sot, ne ndajmë me ju planin tonë të parë të veprimit 100-ditor", tha Erdoan në mbledhjen prezantuese organizuar në kompleksin presidencial, duke shtuar se planifikojnë që deri në fund të gushtit të shpallin edhe Programin Afatmesëm.

"Ne kemi filluar të punojmë në një plan strategjik për periudhën 2019-2023 dhe synojmë ta përfundojmë këtë deri në fund të nëntorit," shtoi ai.

Presidenti tha se numri i projekteve që do të përfundojnë brenda 100 ditëve të para është mbi 1000, por në program kanë përfshirë vetëm 400, të cilat i kanë vlerësuar si më prioritare.

Pasi vuri në dukje se 48 nga këto 400 projekte janë në industrinë e mbrojtjes Erdoani tha se Turqia i kushton një rëndësi të veçantë projekteve që kanë të bëjnë me industrinë e mbrojtjes.

“Në asnjë mënyrë dhe rrethanë nuk do të bëjmë lëshime nga projektet e industrisë së mbrojtjes”, theksoi kreu i shtetit turk.

“Ne vlerësojmë si të çmuar çdo punë që do të kontribuojë që ‘ta presim vetë kordonin tonë kërthizor’ në një periudhë kur Turqia përballet me kërcënime dhe presione në çdo fushë”, u shpreh Erdoan.

Duke folur për arritjen në drejtim të plotësimit të nevojave për energji Presidenti Erdoan tha se planifikojnë që centralin e 3-të bërthamor ta ndërtojnë në Traki.

Erdoani tha se në kuadër të projektit për ndërtimin e Kanalit të Stambollit do të përfundojnë punimet për transferimin e pasurive të paluajtshme dhe planifikimin dhe në të dyja anët e Stambollit do të ndërtojnë dy qytete të vegjël (butik). Brenda 100 ditëve të para do të bëhet vlerësimi i ndikimit të projektit në mjedis dhe projektet e studimit do të paraqiten për miratim.

“Përderisa ka një Kanal të Suezit, një Kanal të Panamasë, përse të mos ketë edhe një Kanal të Stambollit?”, tha Erdoan.

Projekti i Kanalit të Stambollit, një rrugë ujore artificiale në det, që do të lidhë Detin e Zi me Detin e Marmarasë dhe më tej me Mesdheun, është planifikuar të përfundojë deri në vitin 2023.

-Politika e jashtme

Duke folur për politikën e jashtme në periudhën e re Presidenti tha se përpjekja e Turqisë jashtë shtetit kundër organizatave terroriste vazhdon pa ndërprerje edhe në dimensionin diplomatik.

Erdoani njoftoi se Konsullatat e Përgjithshme në Mosul dhe Basra të Irakut do të rihapen brenda 100 ditëve të para të programit të Kabinetit Presidencial.

Duke folur për marrëdhëniet e Turqisë me ShBA, Erdoani tha: "Ne presim që bashkëpunimi me ShBA-në në Menbixh të vazhdojë dhe të mos ndikohet nga mosmarrëveshjet e tjera mes nesh".

Marrëveshja Menbixh midis Turqisë dhe ShBA-së përqendrohet në tërheqjen e grupit terrorist të YPG-së (krahu sirian i PKK-së) nga qyteti sirian për të stabilizuar rajonin.

 


Lajme të ngjashme