Erdogan: S’do të lejojmë që FETO-ja ta kthejë Afrikën e Jugut në bazë të sajën

Kreu i shtetit turk, i cili po qëndron në Afrikën e Jugut për Samitin 10. të BRICS-it, mori pjesë në ceremoninë e përurimit të objektit të Kancelarisë së Ambasadës së Republikës së Turqisë në Pretori...

Cumhurbaşkanı Erdoğan, Güney Afrika Büyükelçilik açılışı.jpg
erdogan g.afrika.jpg

Presidenti Recep Tayyip Erdogan deklaroi të enjten se Turqia renditet e para në botë për ndihma drejt vendeve më pak të zhvilluara.

Kreu i shtetit turk, i cili po qëndron në Afrikën e Jugut për Samitin 10. të BRICS-it (formuar nga Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut), mori pjesë në ceremoninë e përurimit të objektit të Kancelarisë së Ambasadës së Republikës së Turqisë në Pretori.

Në fjalën e rastit, Erdogani tërhoqi vëmendjen se Turqia kishte vetëm 12 ambasada në Afrikë kur partia e tij erdhi në pushtet në vitin 2002, ndërsa ky numër është rritur në 41.

“Kjo është shumë e rëndësishme, pasi tregon distancën që ne kemi përshkuar. Nëse sot ka një Turqi, fjala, opinioni dhe bashkë me këto qëndrimi i së cilës ngjall kureshtje në çështjet ndërkombëtare, kjo është pa dyshim vepër e përpjekjeve tona multilaterale në 16 vitet e fundit. Aktualisht, Turqia renditet e para në botë për ndihma drejt vendeve më pak të zhvilluara, me 8,2 miliardë dollarë”, tha ai.

Erdogani e vazhdoi fjalimin e tij duke u ndalur edhe mbi luftën kundër terrorizmit.

“Në këndvështrimin tonë, nuk ka asnjë dallim ndërmjet organizatave terroriste. Pavarësisht emrit, ideologjisë, diskursit apo imazhit të tyre, të gjitha grupet terroriste janë armiku i përbashkët i njerëzimit. DAESH-i, FETO-ja, PKK-ja, Boko Harami dhe Al-Shabaabi janë të tërë njësoj”, u shpreh presidenti turk.

Ai paralajmëroi se Afrika e Jugut është një prej vendeve ku organizata terroriste gyleniste (FETO) është më aktive.

“Këtë do ta bisedoj me autoritetet afrikanojugore. Më parë u kam dhënë dokumente. Edhe këtë herë do t’u jap fakte të tjera nën dritën e zhvillimeve të reja. Do t’u rikujtojë se kjo organizatë terroriste, e cila tek ne shkaktoi 15 Korrikun (tentativa për grusht shteti e FETO-s më 2016-n), nesër mund shkaktojë probleme edhe në Afrikën e Jugut. Nuk do të lejojmë që FETO-ja t’i ndyjë këto troje, as që ta kthejë këtë vend në bazë të sajën dhe as që të shfrytëzojë bujarinë e miqve tanë afrikanojugorë”, nënvizoi Erdogani.

Lideri turk siguroi më tej se nuk do të tolerojnë që FETO-ja të abuzojë dhe manipulojë sistemin e drejtësisë së Afrikës së Jugut me anë të disa kriptoelementëve të saj, sikurse ndodhi në Turqi më 17-25 dhjetor 2013, një proces që i parapriu tentativës për grusht shteti të dy viteve më parë.

“Zhvillimet e kohëve të fundit këtu (në Afrikën e Jugut) kanë zbuluar rëndësinë e luftës kundër FETO-s jo vetëm për Turqinë, por edhe për sigurinë e vendeve të tjera”, potencoi mes të tjerash Presidenti Erdogan.



Lajme të ngjashme