Turqia paralajmëron Kanadanë për PKK-në

Turqia e ka paralajmëruar Kanadanë për pushkët automatike prodhim kanadez që janë konfiskuar në operacionet e kryera vitet e fundit kundër organizatës terroriste separatiste PKK.

Turqia paralajmëron Kanadanë për PKK-në

Në lajmin e gazetarit David Pugliese, botuar me titullin “Automatiku kanadez ra në duart e terroristeve” në gazetat “National Post”, “Montreal Gazette” dhe “Ottawa Citizen”, pjesë e grupit Postmedia, një prej grupeve të medias kombëtare të Kanadasë, raportohet se terroristëve të PKK-së u janë gjetur armë të tipit NEA-15 me origjinë kanadeze.

Në një operacion të Forcave të Armatosura Turke (TSK), zhvilluar në muajin prill në provincën Mardin (Turqi), në një shpellë të përdorur nga PKK-ja u gjetën dhe u sekuestruan armë prodhim kanadez që përdoren nga forcat speciale dhe fotografitë që iu bënë automatikëve në vendin e ngjarjes iu përcollën autoriteteve kanadeze, bën të ditur lajmi.

Sipas lajmit në fjalë prodhuesja e armëve të konfiskuara është fabrika “North Eastern Arms-NEA” në shtetin Ontario, dhe se zyrtari i kompanisë ka thënë se shitja e këtyre armëve është bërë me lejen e qeverisë federale kanadeze.

Lajmi gjithashtu vë në dukje se në vitin 2016 me armë të prodhuara nga kompania kanadeze NEA janë furnizuar edhe forcat Peshmerge në veri të Irakut; zyrtarët e kompanisë (NEA) kanë realizuar udhëtime në rajon dhe në të njëjtin vit Kanadaja ka eksportuar më shumë se njëmijë armë këmbësorie në Irak.

Sipas lajmit, Këshilltari i Lartë i Komunikimit John Babcock në emër të Ministrisë së Punëve të Jashtme njoftoi fillimin e një hetimi në lidhje me çështjen, ndërsa bëri të ditur se kanë kontaktuar me autoritetet irakiane, të cilave u kanë përcjellë shqetësimet dhe kanë marrë garanci shtesë prej tyre lidhur me përdorimin e fundit të armëve me origjinë kanadeze që janë eksportuar në këtë vend.



Lajme të ngjashme