Kalin: Turqia ecën me hapa të sigurta drejt të ardhmes

Ashtu siç premtoi Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) përpara zgjedhjeve të 24 qershorit, pas një jave do të marrë fund gjendja e jashtëzakonshme në Turqi.

Kalin: Turqia ecën me hapa të sigurta drejt të ardhmes

Zëdhënësi i Presidencës, Ibrahim Kallën (İbrahim Kalın), në artikullin e publikuar për gazetën Daily Sabah me titull “Turqia, e ngritur në këmbë më 15 korrik ecën me siguri drejt të ardhmes”, theksoi se pas fitores së popullit kundër armiqve të demokracisë, sigurimi që një tragjedi e tillë të mos përjetohet më, është një objektivë edhe e vështirë edhe e rëndësishme.  

Ai rikujtoi se ashtu siç premtoi Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) përpara zgjedhjeve të 24 qershorit, pas një jave do të marrë fund gjendja e jashtëzakonshme.

“Nëse tentativa e grushtit të 15 korrikut do të ishte ndërmarrë në një vend me institucione më të dobëta dhe me kulturë më të brishtë demokratike, ekonomia e tyre do të kishte rënë menjëherë. Procesi politik do të kishte dalë nga shinat dhe paqja sociale do të ishte në rrezik. Në këtë drejtim, gjithçka që ndodhi që prej atij sulmi të dhimbshëm në demokracinë turke sot duhet të analizohet me kujdes si diçka që dëshmon për konsekuencat e një Turqie të rezistueshme si vend” shkruan Kallën në artikullin e tij.

“Në të njëjtin proces, institucionet tona politike dhe paqja shoqërore mbetën të paprekura” shkroi zëdhënësi i presidencës dhe shtoi: “Gjatë dy viteve të fundit, përpjekjet krejtësisht legjitime të Turqisë për të eliminuar kërcënimin e një përpjekje tjetër grushti shteti, janë nxjerrë jashtë kontekstit (kuptimit) nga gazetarët perëndimorë. Kështu që një gjë e tillë krijoi një hendek të madh midis lajmeve mediatike dhe fakteve të vërteta në terren. Në të vërtetë, gjendja e jashtëzakonshme, e cila është një mekanizëm kushtetues për të mbrojtur demokracinë tonë nga kërcënimet më serioze, nuk ka ndikuar në jetën e përditshme të qytetarëve tanë. Sepse qeveria jonë nuk përdori shumë kompetenca që Kushtetuta i jepte asaj. Për shembull; Turqia nuk ka vendosur kontrollet e kapitalit dhe as nuk imponon asnjë kufizim në udhëtimet vendore dhe ndërkombëtare. Në të njëjtën mënyrë edhe gjatë referendumit edhe para zgjedhjeve të 24 qershorit shumë parti zhvilluan fushatat e tyre pa u ndeshur me asnjë pengesë”.   

“Në mënyrë të veçantë, me Fondacionin Maarif të Turqisë janë marrë shkollat e huaja jashtë vendit (që i përkisnin FETO-s) dhe janë krijuar institucione të reja arsimore jashtë vendit për të siguruar që vendi ynë të mbetet një dritë shprese në botë. Në të njëjtën mënyrë edhe shtetet e huaja kanë marrë parasysh se sa seriozisht e merr Turqia këtë çështje, si dhe mënyrat në të cilat Gyleni dhe shërbëtorët e tij mund të rrezikojnë sigurinë e vendeve në të cilët ata ndodhen. Si rrjedhojë ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për t'i sjellë autorët tentativës së grushtit të shtetit të 15 korrikut përpara drejtësisë” shkroi Zëdhënësi i Presidencës, Ibrahim Kallën në artikullin e publikuar për gazetën Daily Sabah.



Lajme të ngjashme