Turqia furnizohet për herë të parë me gaz në kuadër të projektit “Shahdeniz 2”

Projekti “Shahdeniz 2” është përfunduar i sigurt brenda afatit kohor dhe buxhetor të parashikuar, ndërsa furnizimi me gaz i Turqisë ka nisur të shtunën e 30 qershorit, sikurse ishte planifikuar më herët...

Turqia furnizohet për herë të parë me gaz në kuadër të projektit “Shahdeniz 2”

Ka filluar furnizimi tregtar me gaz i Turqisë në kuadër të projektit “Shahdeniz 2”.

Sipas një komunikate të përbashkët nga konsorciumi, menaxhues i të cilit është kompania “British Petroleum” (BP), projekti “Shahdeniz 2” është përfunduar i sigurt brenda afatit kohor dhe buxhetor të parashikuar, ndërsa furnizimi me gaz i Turqisë ka nisur të shtunën e 30 qershorit, sikurse ishte planifikuar më herët.

Komunikata thekson se fusha gazmbajtëse “Shahdeniz 2”, e cila është pikënisja e Korridorit Jugor të Gazit (SGC) që do të transmetojë në Evropë gazin natyror azerbajxhanas të Kaspikut, ka një kapacitet prodhimi vjetor prej 16 miliardë m3, por me përfshirjen në projekt edhe të fushës gazmbajtëse “Shahdeniz 1”, prodhimi vjetor i gazit natyror të pellgut “Shahdeniz” pritet të arrijë deri në 26 miliardë m3.

Presidenti i Kompanisë Shtetërore të Naftës së Republikës së Azerbajxhanit (SOCAR), Rovnag Abdullayev, opinioni i të cilit ka zënë një vend të gjerë në komunikatën e konsorciumit të drejtuar nga BP, ka vënë theksin mbi rëndësinë rajonale të projektit.

“Furnizimi i parë tregtar me gaz përmes Linjës Gazsjellëse Transanadollase (TANAP), është një gur prove i rëndësishëm i jetësimit të Korridorit Jugor të Gazit. Pavarësisht vështirësive të shumta, ne sendërtuam brenda afatit kohor dhe buxhetor të parashikuar, në mënyrë të koordinuar, etapat azerbajxhanase, gjeorgjiane dhe turke të një projekti kaq madhor sa Korridori Jugor i Gazit. Përfundimi nga partnerët e SOCAR-it në Azerbajxhan i ndërtimit të projektit ‘Shahdeniz 2’, i cili përshin si platformat mbidetare ashtu edhe njësitë ndihmëse të tij, është një sukses shumë i madh jo vetëm për Azerbajxhanin, por edhe për të gjithë rajonin”, ka vlerësuar Abdullayev, cituar në këtë deklaratë.

Ndërsa Gary Jones, shef rajonal i BP-së për Gjeorgjinë, Azerbajxhanin dhe Turqinë, ka potencuar se furnizimi i parë tregtar me gaz i Turqisë në vitin 2018 ishte një prej objektivave parësore dhe më të rëndësishme të këtij projekti kolosal.



Lajme të ngjashme