Ushtria turke realizoi misionin e 7-të patrullues në Menbixh

Njësi të Forcave të Armatosura Turke (TSK) dhe amerikane realizuan raundin e shtatë të patrullimit të koordinuar/pavarur në hapësirën që ndodhet ndërmjet qytezës Menbixh të Sirisë dhe zonës së Operacionit “Mburoja e Eufratit”.

Ushtria turke realizoi misionin e 7-të patrullues në Menbixh

Shtatmadhoria turke përmes një postimi që ka bërë në llogarinë zyrtare në Twitter njofton se aktiviteti i patrullimit është realizuar të shtunën.

Patrullat e para të trupave turke dhe amerikane në rajon filluan më 18 qershor.

Pritet që patrullime të tilla të vazhdojnë edhe në ditët në vijim si pjesë e marrëveshjes së arritur më herët ndërmjet Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), udhërrëfyesit të miratuar në takimin e mbajtur në Uashington më 4 qershor midis ministrit të Jashtëm turk, Mevlut Çavushollu (Mevlüt Çavuşoğlu) dhe Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo në lidhje me vendosjen e sigurisë dhe stabilitetit në këtë rajon.

Plani parashikon edhe fillimin e kontrolleve të përbashkëta me pjesëmarrjen e elementëve ushtarakë dhe të inteligjencës turke e amerikane në këtë zonë.

Sipas marrëveshjes, është paraparë që pas largimit të terroristëve nga Menbixhi, të krijohet një administratë që do të formohet nga elementët vendorë.

Bëhet e ditur se arabët përbëjnë më shumë se 90 për qind të popullatës vendore në Menbixh.

Në gusht të vitit 2016, YPG/PKK-ja e përkrahur nga Amerika e kishte pushtuar nënprefekturën Menbixh të Halepit duke dëbuar DAESH-in nga kjo zonë.

PKK-ja është një organizatë separatiste që është në listën e organizatave terroriste në Turqi, ShBA dhe Bashkimin Evropian. Ajo është përgjegjëse për vrasjen e afër 40.000 njerëzve në tre dekadat e fundit të fushatës së saj terroriste kundër Turqisë.

PKK-ja vepron edhe në Irak, ku ndodhet baza kryesore më e madhe e terroristëve në Vargmalet Kandil dhe në veri të Sirisë, ku vepron dega e saj YPG.

Forcat turke në dy operacionet e tyre të "Mburoja e Eufratit" dhe "Dega e Ullirit" kanë çliruar tashmë një zonë më të gjerë në Sirinë veriperëndimore dhe veriore.

Në rast se marrëveshja me ShBA-në në Menbixh rezulton e suksesshme, Ankaraja ka paralajmëruar se ky model mund të zbatohet edhe në provincat e tjera në verilindje të Sirisë, të cilat mbahen të pushtuara nga terroristët të YPG/PKK-së.

 


Lajme të ngjashme