Ushtria turke bëri patrullimin e 6-të në Menbixh

Njësi të Forcave të Armatosura Turke (TSK) përfunduan detyrën e patrullimit të gjashtë në qytezën Menbixh të Sirisë, në kuadër të aktivitetit të spastrimit të provincës nga elementët e organizatës separatiste terroriste PKK/PYD-YPG...

Ushtria turke bëri patrullimin e 6-të në Menbixh

Autoblindat e TSK-së patrulluan për herë të gjashtë përreth Përroit Saxhu, që ndodhet në vijën e frontit Xherabulus dhe Menbixh, provinca që ndodhen në veri të Sirisë dhe bëjnë pjesë në zonën e operacionit të ushtrisë turke “Mburoja e Eufratit”. Aktiviteti i patrullimit u realizua në mënyrë të pavarur dhe në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA).

Patrullimi i parë ishte realizuar në datën 18 qershor, kurse i dyti në 20 qershor, i treti në 22 qershor, i katërti në 24 qershor dhe i pesti të martën e kësaj jave.

Pritet që patrullime të tilla të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

Më herët Turqia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin rënë dakord për largimin e PKK/YPD-YPG-së nga Menbixhi, provincë në perëndim të Lumit Eufrat dhe e pushtuar nga kjo organizatë.

Marrëveshja u arrit pas një takimi në Uashington më 4 qershor midis ministrit të Jashtëm turk, Mevlut Çavushollu (Mevlüt Çavuşoğlu) dhe Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, ku u miratua edhe një hartë rrugore për vendosjen e sigurisë dhe stabilitetit në këtë rajon.

Plani parashikon edhe kontrollet e përbashkëta me pjesëmarrjen e elementëve ushtarakë dhe të inteligjencës turke e amerikane në këtë zonë.

Sipas marrëveshjes, është paraparë që pas daljes së terroristëve nga Menbixhi, të krijohet një administratë që do të formohet nga elementët vendorë.

Në gusht të vitit 2016, YPG/PKK-ja e përkrahur nga Amerika pushtoi nënprefekturën Menbixh të Halepit duke dëbuar DAESH-in nga kjo zonë.

Bëhet e ditur se arabët përbëjnë më shumë se 90 për qind të popullatës vendore në Menbixh.

 

 


Lajme të ngjashme