Merkel vlerëson arritjet e Turqisë, kërkon më shumë mbështetje për refugjatët

Shefja e Berlinit zyrtar u kërkoi shteteve anëtare të Bashkimit Evropian që të bien dakord për të caktuar një ndihmë shtesë prej 3 miliardë eurosh për refugjatët sirianë në Turqi...

Merkel vlerëson arritjet e Turqisë, kërkon më shumë mbështetje për refugjatët

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, deklaroi se Turqia ka bërë një punë fantastike për refugjatët.

Duke iu drejtuar ligjvënësve në Parlamentin Federal të Gjermanisë (Bundestag) përpara një samiti të liderëve të Bashkimit Evropian në Bruksel, Merkel theksoi se marrëveshja BE-Turqi e vitit 2016 ka qenë e suksesshme në reduktimin e flukseve të parregullta të emigracionit dhe rikonfirmoi premtimin financiar të Unionit si pjesë të marrëveshjes.

Krerët e 28 shteteve anëtare të BE-së mblidhen të enjten në Bruksel për një samit dyditor, i cili do të përqendrohet në krizën e refugjatëve dhe propozimet për një azil në shkallë evropiane.

Shefja e Berlinit zyrtar paralajmëroi se mosmarrëveshjet rreth politikës së azilit mund të rrezikojnë seriozisht unitetin e BE-së.

Merkel tërhoqi vëmendjen se akordi Turqi-BE i marsit 2016 për zgjidhjen e krizës së refugjatëve në Evropë është shembullor ende sot e kësaj dite dhe kjo pranohet nga të gjitha palët.

“Shpresoj që Këshilli Evropian të mbledhë tani këstin e dytë prej 3 miliardë eurosh, sepse vetëm pastaj do të jemi në gjendje të themi përsëri se po e ndihmojmë Turqinë në tejkalimin e sfidave të vështira të strehimit të mbi 3 milionë refugjatëve sirianë. Turqinë mund ta kritikoni, por Turqia ka bërë një punë dhe arritje fantastike për refugjatët”, u shpreh ajo.

Angela Merkel vlerësoi përpjekjet e Turqisë për më shumë se 3 milionë refugjatë, të cilët ajo i ka pritur që nga fillimi i luftës civile siriane e këtej, duke theksuar se evropianët duhet të jenë mirënjohës për këtë arritje pavarësisht dallimeve politike ndërmjet Brukselit dhe Ankarasë mbi një numër çështjesh politike.

“Sfida e emigracionit do ta bëjë ose zhbëjë Bashkimin Evropian. Fati i BE-së varet nga aftësia e Unionit për të përballuar këtë sfidë. Nëse nuk ia dalim të gjejmë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, atëherë duhet të marrim në konsideratë koalicionet e vullnetshme”, potencoi kancelarja gjermane duke vënë gishtin mbi mosmarrëveshjet ndërmjet shteteve anëtare rreth politikës së azilit.

“Ose do t’u bëjmë ballë këtyre, ose askush nuk do t’u besojë vlerave tona, të cilat na bëjnë këta që jemi”, shtoi ajo pasi vuri në pah se Evropa po ballafaqohet me një sërë problemesh.

Duke rikujtuar kritikat që shënjuan qeverinë e saj dhe sidomos atë vetë pasi hapi portat e Gjermanisë për refugjatët sirianë në vitin 2015, Merkel nënvizoi se këtë vendim e ka marrë në fund të bisedimeve dhe në koordinim me autoritetet austriake e hungareze dhe se sot do të bënte të njëjtën gjë po ashtu.

Në fund të fjalës së saj drejtuar ligjvënësve në Bundestag, shefja e Berlinit zyrtar tërhoqi vëmendjen se vendet pritëse të refugjatëve s’duhet të lihen në vetmi.



Lajme të ngjashme