Turqia fshikullon vendimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së

Ankaraja zyrtare ka reaguar fuqishëm ndaj vendimit të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme (GAC) të Bashkimit Evropian për të mos nisur momentalisht negociatat për modernizimin e Unionit Doganor me Turqinë...

Turqia fshikullon vendimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së

Ankaraja ka reaguar fuqishëm ndaj vendimit të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme (GAC) të Bashkimit Evropian për të mos nisur momentalisht negociatat për modernizimin e Unionit Doganor me Turqinë.

Në deklaratën e lëshuar mbrëmjen e së martës, pas takimit në Luksemburg të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme me pjesëmarrjen e ministrave të Jashtëm dhe të Çështjeve Evropiane të BE-së, u theksua se bisedimet për modernizimin e Unionit Doganor s’do të fillojnë për momentin.

Ministria turke e Punëve të Jashtme, në reagimin e saj mbi këtë vendim të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme, bëri me dije se “të pretendosh që Turqia po i largohet procesit, pa marrë parasysh pozicionin e BE-së, është vetëm hipokrizi dhe mospërputhje”.

MPJ turke nënvizoi se vendimi i BE-së është i njëanshëm dhe i padrejtë.

“Edhe pse statusi i vendit tonë nuk dëmtohet nga vendimi, ne s’pranojmë ndërlidhjen e procesit tonë të anëtarësimit sa i përket çështjes së ‘Zgjerimit të BE-së’ me kushte të reja nën një marrëdhënie të pakuptimtë shkak-pasojë”, shtoi deklarata e Ministrisë.

“Është e pamundur të kuptojmë ndërlidhjen e azhurnimit të Unionit Doganor me kriteret, kur nuk do të përfitonte vetëm shtet ynë, por edhe BE-ja vetë. Ne kemi parë edhe një tjetër herë se Bashkimi Evropian nuk e trajton Turqinë me drejtësi dhe ndershmëri”, thuhet në fund të deklaratës.

Përmes një serie postimesh në rrjetin social, “Twitter”, vendimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme e kritikoi gjithashtu ministri turk për Çështjet e Bashkimit Evropian, Omer Çelik.

“Konkluzionet e takimit të djeshëm të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme janë të një natyre historike, pasi ato tregojnë se sa konfuze është mendja kolektive e BE-së”, deklaroi ai.

Çelik tha se konkluzionet “kanë mungesë vizioni, janë larg fakteve dhe plot kontradikta, gjithashtu tregojnë qartë se BE-ja mbahet peng nga një mentalitet antiturk”.

“Konkluzionet, të cilat dolën ndërsa Turqia sapo ka përfunduar zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, kur një epokë e re është gati të fillojë dhe vendi është në prag të një procesi të madh reformash me sistemin e qeverisë presidenciale, tregojnë shtrirjen e paragjykimeve kundër Turqisë”, theksoi shefi i negociatave të Ankarasë me Brukselin duke shtuar se me këto përfundime, BE-ja deklaron se nuk do të respektojë angazhimet e saj në kuadër të marrëveshjes së 18 marsit.

“Ne s’mund të pranojmë një lloj marrëdhënieje selektive, ku BE-ja e konsideron Turqinë një partner kyç në fusha të tilla si emigracioni, terrorizmi, transporti dhe energjia, prej të cilave ajo përfiton, por njëherësh nuk respekton premtimet dhe angazhimet e saj”, përfundoi ministri Çelik.



Lajme të ngjashme