Azhurnohet Marrëveshja e Tregtisë së Lirë ndemjet Turqisë dhe EFTA-s

Marrëveshja për zgjerimin dhe modernizimin e kuadrit të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë (MTL) ndërmjet Republikës së Turqisë dhe shteteve anëtare të Shoqatës Evropiane të Tregtisë së Lirë (EFTA) u nënshkrua të hënën në Islandë...

Azhurnohet Marrëveshja e Tregtisë së Lirë ndemjet Turqisë dhe EFTA-s

Ministria turke e Ekonomisë njoftoi të hënën nënshkrimin e marrëveshjes për zgjerimin dhe modernizimin e kuadrit të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë (MTL) ndërmjet Republikës së Turqisë dhe shtetet anëtare të Shoqatës Evropiane të Tregtisë së Lirë (EFTA – Islandë, Lihtenshtejn, Norvegji dhe Zvicër).

I pranishëm në ceremoninë e organizuar në qytezën Saudarkrokur të Islandës, me rastin e nënshkrimit të MTL-së së azhurnuar, ishte edhe ministri turk i Ekonomisë, Nihat Zeybekci.

Me marrëveshjen e re të tregtisë së lirë, hartuar për të zëvendësuar atë të mëhershmen, e cila ishte nënshkruar para themelimit të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) dhe fokusohej përgjithësisht në heqjen e tarifave doganore, janë përditësuar tregtia e të mirave materiale, rregullat e origjinës, si dhe dispozitat e përgjithshme dhe institucionale. Po ashtu janë ngritur mekanizmat e bashkëpunimit dhe konsultimit në instrumentet e proteksionizmit tregtar, përtej dispozitave të OBT-së; është formuar një mekanizëm tjetër për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe në zbatimin ose interpretimin e MTL-së, ndërsa dispozitat e “Lehtësimit të Tregtisë”, të cilat mundësojnë thjeshtimin e transaksioneve dhe operacioneve doganore, si dhe çështjet që kanë të bëjnë me tregtinë elektronike (e-tregtia), janë bërë një pjesë e pandashme e marrëveshjes.

“MTL-ja e përditësuar është një marrëveshje më moderne dhe më e gjerë sesa ajo ekzistuese e Unionit Doganor me Bashkimin Evropian. Ne duam që ajo të jetë shembull për azhurnimin e Unionit Doganor”, deklaroi ministri Zeybekci.

Shefi i ekonomisë turke shpjegoi se rregullat preferenciale Pan-Evropiane-Mesdhetare të origjinës, subjekt i të cilave është kjo marrëveshje, janë të lidhura me konventat rajonale që shtrihen për të përfshirë vendet e Ballkanit, duke mundësuar akumulimin me ekonomitë në hapësira gjeografike më të mëdha dhe theksuar se mundësitë tregtare dhe investuese janë zgjeruar në këtë drejtim.

Sipas MTL-së së përditësuar – tha ai – reciprociteti u sigurua për herë të parë në drejtim të mbrojtjes së të dhënave në këto produkte duke marrë parasysh objektivat e prodhimit dhe të eksportit të parashtruara për barnat njerëzore.

“Ndërkohë, dispozitat e bashkëpunimit për lehtësimin e transferimit të teknologjisë u përfshinë në një nga MTL-të e Turqisë për herë të parë”, theksoi Zeybekci duke tërhequr vëmendjen mbi marrëdhënien ndërmjet transferimit të teknologjisë dhe të drejtave të pronësisë intelektuale.

Pasi nënvizoi se me përfshirjen e rregullave dhe angazhimeve për tregtinë e shërbimeve do të krijohet një mjedis më i parashikueshëm komercial për ofruesit e shërbimeve dhe investitorët në vendin e tij, ministri turk i Ekonomisë argumentoi se shtetet e EFTA-s gjithashtu detyrohen të ndërmarrin angazhime gjithëpërfshirëse në lidhje me transportin rrugor dhe shërbimet e turizmit, të cilat janë ndër artikujt më të rëndësishëm të eksportit të shërbimeve në Turqi, duke shtuar që kuotat për transportin rrugor të dyfishtë dhe transit në shtetet e EFTA-s u hoqën dhe se transportuesit janë tashmë të mbrojtur nga të qenit subjekt i akuzave diskriminuese.

Zeybekci vuri në pah se në bazë të marrëveshjes, një aneks mbi shërbimet e kujdesit shëndetësor u nënshkrua gjithashtu me Zvicrën duke siguruar lëvizjen e pacientëve ndërmjet palëve për të marrë shërbime në sektorin shëndetësor privat, në kujdesin për të moshuarit dhe në shërbime shëndetësore të tjera.

Në këtë kontekst, përveç marrëveshjes së re, ndërmjet Turqisë dhe Zvicrës u firmosën marrëveshje dypalëshe edhe për liberalizimin e avancuar të tregtisë së produkteve bujqësore bazë dhe atyre të papërpunuara.

Marrëveshja e Tregtisë së Lirë Turqi-EFTA u nënshkrua në Gjenevë më 10 dhjetor 1991 dhe hyri në fuqi më 1 prill 1992. Ajo është MTL-ja e parë e përfunduar nga Turqia. Falë regjimit ekzistues preferencial të organizuar si pjesë e marrëveshjes, tregtia e jashtme e përgjithshme e Turqisë me vendet e lartpërmendura arriti 9,7 miliardë dollarë vitin e kaluar. Me marrëveshjen e azhurnuar të MTL-së, pritet që të vazhdojë tregtia dypalëshe me EFTA-n dhe të rriten investimet e drejtpërdrejta të këtyre shteteve në Turqi.



Lajme të ngjashme