Rekord historik, Turqia vizitohet nga 11,8 milionë turistë në 5 muajt e parë të 2018-s

Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Numan Kurtulmus, deklaroi se Turqia është vizituar nga 11,8 milionë turistë në 5 muajt e parë të këtij viti, një rekord i të gjitha kohërave...

997473
Rekord historik, Turqia vizitohet nga 11,8 milionë turistë në 5 muajt e parë të 2018-s

Turqia ka shënuar një tjetër rekord historik në turizëm pa u mbyllur ende gjysma e vitit 2018.

Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Numan Kurtulmus, deklaroi se Turqia është vizituar nga 11,8 milionë turistë në 5 muajt e parë të këtij viti, një rekord i të gjitha kohërave.

Kurtulmus mbajti një fjalim në Mbledhjen e Bordit Këshillimor të Turizmit, organizuar në Pallatin e Kongreseve dhe Ekspozitave Ndërkombëtare “Lutfi Kirdar” të Stambollit.

“Turqia është vizituar nga 11,8 milionë persona në 5 muajt e parë të 2018-s. Kjo shifër është rekordi i të gjitha kohërave. Ju përshëndes nga zemra për këtë, pasi bëhet fjalë për një rritje me 30,8% në krahasim me vitin e kaluar. Ky është një zhvillim i rëndësishëm për Turqinë, është një rezultat me të vërtetë për t’u krenuar. Do të shtojmë hapat tona cilësore në turizëm për të rritur të ardhurat turistike për frymë dhe do të thyejmë rekorde për t’u siguruar që Turqia e fuqishme të arrijë potencialin maksimal edhe në fushën e turizmit”, u shpreh ai.

Në fund të këtij viti – theksoi ministri Kurtulmus – ne shpresojmë që të kemi thyer një rekord të ri duke pritur 40 milionë turistë anembanë Turqisë dhe siguruar 32 miliardë dollarë nga ky sektor.

Ai rikujtoi po ashtu se turizmi bëri një kthim spektakular në vitin 2017.

“Duke u frymëzuar nga ky rigjallërim i fuqishëm, ne e caktuam objektivin e 2018-s si 40 milionë turistë. Me lejen e Allahut, ne do ta tejkalojmë këtë objektiv 40-milionësh. Pas zgjedhjeve, gjithashtu ne do të kemi mundësi për të revizionuar edhe objektivat e vitit 2023. Ne synojmë 50 milionë turistë dhe 50 miliardë dollarë të ardhura nga turizmi në 2023-shin, por edhe këto objektiva do t’i rishikojmë me kah pozitiv pas zgjedhjeve”, përfundoi Kurtulmus.



Lajme të ngjashme