Europol: Evropa, një bazë logjistike dhe financiare për aktivitetet terroriste të PKK-së

Sipas Europol-it, PKK-ja vazhdon të mbledhë haraç sistematikisht dhe me forcë në të gjithë hapësirën e BE-së për të financuar aktivitetet e saj duke përdorur kompani fasadë në Union...

Europol: Evropa, një bazë logjistike dhe financiare për aktivitetet terroriste të PKK-së

Një raport i Europol-it ka dokumentuar atë se si është duke përdorur Evropën organizata separatiste terroriste, PKK.

“Raporti i Vitit 2018 për Gjendjen dhe Prirjen e Terrorizmit në Bashkimin Evropian” (TE-SAT 2018), publikuar të mërkurën nga Agjencia e BE-së për Bashkëpunim në Zbatimin e Ligjit (Europol), vërteton me fakte se organizata separatiste përdor diasporën kurde në Evropë si mjet për të transferuar konfliktin në shtetet anëtare të bllokut 28-anëtarësh.

“PKK-ja e përdor Evropën si bazë logjistike për t’u furnizuar me armë dhe për të mbledhur rekrutë”, thuhet në këtë raport.

Sipas Europol-it, PKK-ja vazhdon të mbledhë haraç sistematikisht dhe me forcë në të gjithë hapësirën e BE-së për të financuar aktivitetet e saj duke përdorur kompani fasadë në Union.

Nga ana tjetër, është raportuar se kjo organizatë terroriste ka edhe aktivitete kriminale, nga të cilat siguron fitime materiale.

Raporti “TE-SAT 2018” zbulon po ashtu se PKK-ja tërheq të rinjtë në brendësi të organizatës terroriste përmes shoqatës së quajtur “Komalen Ciwan” (Komuniteti Rinor), me seli në Francë.

“Të rinjtë që anëtarësohen në organizatë, dërgohen në ‘kampe të shpëlarjes së trurit’ larg familjeve të tyre, nën kontrollin e të ashtuquajturve anëtarë të kuadrit të lartë të PKK-së. Pas këtij procesi, të rinjve u mësohen teknikat e luftimit në kampet ushtarake (të organizatës terroriste) në Armeni, Iran dhe Irak”, thekson raporti.

Ai bën të ditur gjithashtu se shumë anëtarë të PKK-së në Francë, Gjermani dhe Holandë janë dënuar për krime të ndryshme si anëtarësim në një organizatë terroriste, financim i terrorizmit, pastrim parash dhe rekrutim i anëtarëve të rinj në një organizatë terroriste.

“Në Francë, ku 8 anëtarë të organizatës terroriste janë shpallur fajtorë për financim të terrorizmit, PKK-ja ka mbledhur rreth 6 milionë euro vetëm gjatë vitit 2017”, sqaron “TE-SAT 2018”.

Ky raport i Europol-it tërheq vëmendjen gjithashtu se grupi ekstremist i majtë, DHKP-C, një tjetër organizatë terroriste që vazhdon të jetë aktive në Turqi dhe Evropë, nuk ka kryer deri më sot asnjë sulm në Bashkimin Evropian, por në disa shtete anëtare të BE-së ka një rrjet që siguron mbështetje financiare dhe logjistike për operacionet në Turqi.



Lajme të ngjashme