Yildirim: Vendimi i Austrisë për të mbyllur 7 xhami, plotësisht armiqësi ndaj Islamit

Kryeministri i Turqisë, Binali Yildirim, reagoi ashpër mbrëmjen e së premtes ndaj vendimit të Austrisë për të mbyllur 7 xhami duke thënë se “kjo është plotësisht armiqësi ndaj Islamit dhe fesë”...

Başbakan Binali Yıldırım NTV 02.jpg
Başbakan Binali Yıldırım NTV 01.jpg

Kryeministri i Turqisë, Binali Yildirim, reagoi ashpër mbrëmjen e së premtes ndaj vendimit të Austrisë për të mbyllur 7 xhami duke thënë se “kjo është plotësisht armiqësi ndaj Islamit dhe fesë”.

“Vendimi në fjalë, i cili bie ndesh me normat e së drejtës ndërkombëtare, vlerat e Bashkimit Evropian dhe të drejtat e komuniteteve pakicë, është jashtëzakonisht i gabuar”, deklaroi Binali Yildirim gjatë një programi në një televizion privat.

“Si mund t’u besohet Bashkimi Evropian një shteti anëtar të tillë apo zyrtarëve me këtë mënyrë të menduari? Këtë ua lëmë evropianëve ta gjykojnë. Pyes veten se çfarë do të propozojnë si vizion dhe objektiv të BE-së ata që nuk tolerojë njerëz, që mendojnë ndryshe nga ata dhe që i përkasin një feje tjetër”, shtoi ai duke kujtuar se Austria do të marrë presidencën gjashtëmujore të BE-së nga Bullgaria më datë 1 korrik.

Shefi i Ankarasë zyrtare tërhoqi vëmendjen edhe mbi çështjet e brendshme të vendit të tij duke theksuar se Turqia, në 15 vitet e fundit, nuk ka bërë investime të mëdha vetëm në ndërtimin e autostradave, aeroporteve, porteve detare dhe trenave me shpejtësi të lartë, por edhe në fushën e teknologjisë moderne dhe teknologjisë së informacionit.

Turqia – vijoi Yildirim – ka shënuar rritje ekonomike në vitet e fundit dhe kjo s’mund të nënvlerësohet apo injorohet në asnjë mënyrë.

“E rëndësishme është që të gjitha këto i realizuam brenda vetëm 15 vitesh. Turqia nuk po kursen aspak për përparim të mëtejshëm”, potencoi kryeministri duke shtuar se përparimi i veçantë është bërë në ndërtimin e infrastrukturës.

“Në vitin 2002, Turqia renditej e 39-ta në botë nga aspekti i zhvillimit të infrastrukturës; kurse në fund të 2017-s, si rezultat i rritjes së investimeve, avancoi dukshëm duke zënë vendin e 9-të”, sqaroi ai.

Më tej, Binali Yildirim dha informacione rreth operacionit tokësor të forcave turke të sigurisë në zonat veriore të Irakut.

“Njësi të forcave tona të armatosura janë dislokuar rreth 30 km në thellësi të kufijve tanë me Irakun Verior, në një hapësirë prej 300 km2. Ajo që pason këtë mund të jetë edhe Kandili, edhe Mahmuri, edhe Sinxhari; për ne s’ka shumë rëndësi vendi. Kudo qoftë kërcënimi apo strofka terroriste që na dëmton, ai vend për ne është objektiv”, siguroi kreu i ekzekutivit turk.

Kurse gjatë një darke iftari përpara se të merrte pjesë në këtë emision televiziv, Yildirim u ndal mbi planet e fuqive imperialiste mbi rajonin.

“Forcat imperialiste kanë plane të mëdha. Ato synojnë dobësimin e Turqisë, e cila është siguresa dhe garancia e rajonit, për të thelluar kaosin, trazirat në Palestinë, Siri, Irak dhe Jemen, në mënyrë që të gllabërojnë lehtësisht burimet rajonale. Qëllimi është i qartë. Për këtë qëllim, fatkeqësisht, ato s’ngurrojnë të abuzojnë as me vëllezërit tanë kurdë”, deklaroi Kryeministri Binali Yildirim.



Lajme të ngjashme