Çavusoglu: Nëse sot nuk i spastrojmë terroristët nga Kandili, nesër kthehen në kërcënim ndaj nesh

Ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu, ritheksoi vendosmërinë e Turqisë në luftën kundër terrorizmit gjatë një programi syfyri, organizuar të shtunën nga Departamenti i Zjarrfikëses së Bashkisë Metropolitane të Antalias...

Çavusoglu: Nëse sot nuk i spastrojmë terroristët nga Kandili, nesër kthehen në kërcënim ndaj nesh

Ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu, ritheksoi vendosmërinë e Turqisë në luftën kundër terrorizmit gjatë një programi syfyri, organizuar të shtunën nga Departamenti i Zjarrfikëses së Bashkisë Metropolitane të Antalias.

Gjatë fjalës së rastit në këtë program, Mevlut Çavusoglu vlerësoi operacionet e forcave turke të sigurisë në Siri dhe Irakun Verior, kundër organizatës separatiste terroriste, PKK dhe fraksionit sirian të saj, PYD-YPG, duke potencuar se Turqia ka bërë dhe po bën përpjekje shumë të mëdha për t’u dhënë fund luftimeve në Siri.

“Ne bëmë çfarë është e nevojshme për sigurinë e rajonit dhe vendit tonë duke spastruar të dyja anët e kufirit tonë nga organizatat terroriste”, deklaroi ai.

Shefi i diplomacisë turke sqaroi më tej se me Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rënë dakord mbi një udhërrëfyes për të spastruar zonën e Menbixhit gjithashtu nga terroristët.

“Me lejen e Allahut, vëllezërit tanë sirianë do të fillojnë të kthehen edhe atje (në Menbixh) pasi ne të vendosim stabilitetin në atë zonë”, u shpreh Çavusoglu.

Në fund, ministri turk i Punëve të Jashtme u ndal mbi operacionin e mundshëm kundër PKK-së në Kandil, zonë malore në Irakun Verior që përdoret si bazë nga organizata terroriste në fjalë.

“Nëse sot nuk shkojmë atje (në Kandil), në rast se nuk i spastrojmë terroristët e atjeshëm, nesër ata do të kthehen si kërcënim ndaj nesh në territoret tona”, tha Çavusoglu.



Lajme të ngjashme