Plani i veprimit për Menbixhin mund të jetë ‘pikëkthesa’ e marrëdhënieve Turqi-ShBA

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavushollu (Mevlüt Çavuşoğlu) tha se takimi që do të ketë me homologun e tij amerikan, Mike Pompeo në lidhje me zonën Menbixh të Sirisë, mund të jetë një pikë kthese në marrëdhëniet dypalëshe me ShBA.

Plani i veprimit për Menbixhin mund të jetë ‘pikëkthesa’ e marrëdhënieve Turqi-ShBA

Mevlut Çavushollu mori pjesë në programin e iftarit organizuar në Qendrën e Çështjeve Fetare në Amerikë (DCA) nga Komiteti Kombëtar Drejtues Turko-Amerikan (TASC) në Uashington, kryeqyteti i ShBA-së, ku ai ka shkuar për t’u takuar me homologun e tij amerikan.

Këtu Çavushollu iu përgjigj pyetjeve lidhur me aktualitetin.

"Kur të dy si ministra do të kemi miratuar çështjen e Menbixhit, që ndodhet në lindje të Lumit Eufrat, atëherë ne do të fillojmë ta zbatojmë këtë (planin e veprimit), i cili mund të jetë një pikë kthese në marrëdhëniet dypalëshe",- u shpreh shefi i diplomacisë turke.

Në lidhje me avionët F-35, Çavushollu tha se në Kongresin amerikan për këtë çështje është krijuar një atmosferë kundër Turqisë.

"Midis nesh dhe ShBA-së është krijuar një tension edhe për (raketat) S-400. Fillimisht ne kemi dashur ti blejmë këto sisteme nga ShBA dhe aleatët tanë, por ata nuk na i shitën. Kështu që neve na u desh ti blejmë nga Rusia. Nëse ShBA-ja është e gatshme për të na i shitur neve ato, atëherë edhe ne duam që ti blejmë nga aleatët tanë",- vlerësoi Çavushollu.

Në përgjigje të një pyetjeje Çavushollu tha se një nga problemet kryesore midis Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës është edhe mbështetja që ShBA-ja i jep organizatës terroriste PKK/PYD.

"Ne po punojmë për një zgjidhje politike në Siri; i refuzojmë të gjitha përpjekjet për ndarjen e Sirisë. Ne jemi duke punuar si një aktor kryesor për një zgjidhje politike në Siri përmes proceseve të Astanës, Soçit dhe Gjenevës",- nënvizoi ministri i jashtëm turk.

Çavushollu bëri deklarata të rëndësishme edhe për Jerusalemin. "Ne si Turqi nuk do ta lëmë kurrë në baltë Jerusalemin”, theksoi ai.

 


Lajme të ngjashme