​​​​​​​Ibrahim Kalin: Synimi i Turqisë është paqja dhe jo influenca në Ballkan

Zëdhënësi dhe nënsekretari i përgjithshëm i Presidencës së Turqisë, ambasadori Ibrahim Kalin, deklaroi të enjten se synimi i vendit të tij është paqja dhe jo influenca në Ballkan...

İbrahim Kalın 2. Balkan Buluşması.jpg
2. Balkan Bülüşması.jpg

Zëdhënësi dhe nënsekretari i përgjithshëm i Presidencës së Turqisë, ambasadori Ibrahim Kalin, deklaroi të enjten se synimi i vendit të tij është paqja dhe jo influenca në Ballkan.

Vazhdojnë në Ankara punimet e Takimit 2. Ballkanik, një organizim i Institutit të Mendimit Strategjik (SDE) dhe Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), me pjesëmarrjen e shkencëtarëve, akademikëve, klerikëve, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe gazetarëve nga 11 shtete të Ballkanit.

Në ditën e dytë të Takimit, aktiviteti më i spikatur ishte ai me temë “Paneli i Mendimit Strategjik për Ardhmërinë Ballkanase”.

Gjatë fjalës së rastit në këtë panel, Ibrahim Kalin tha se Turqia nuk synon të zgjerojë influencën e saj në Ballkan, por të garantojë paqen, qetësinë dhe sigurinë në këtë hapësirë gjeografike.

“Ne e kemi vërtetuar disa herë këtë gjë”, shtoi ai.

Sipas tij, prioritetet e Turqisë në lidhje me Ballkanin janë 3: Konsolidimi i stabilitetit politik, realizimi i zhvillimit ekonomik dhe fillimi i një lëvizjeje të rigjallërimit kulturor.

Parë në aspektin e efekteve të Ballkanit mbi stabilitetin politik – vuri në pah nënsekretari i përgjithshëm i Presidencës turke – ai është një hapësirë gjeografike që duhet të monitorohet me kujdes.

Më tej, Kalin bëri me dije se tashmë janë në fazën përfundimtare të studimit të fizibilitetit për Projektin e Autostradës Sarajevë-Beograd. Ai tërhoqi vëmendjen se Presidenti Recep Tayyip Erdogan e ka quajtur këtë projekt “Autostrada Ballkanike e Paqes”.

Zëdhënësi Kalin nënvizoi gjithashtu se Turqia mbështet dhe do të vazhdojë të mbështesë përfshirjen e të gjitha shteteve ballkanike nën ombrellën e NATO-s.

Në fund të fjalës së tij në Panelin e Mendimit Strategjik për Ardhmërinë Ballkanase, Ibrahim Kalin potencoi edhe rëndësinë e luftës kundër organizatës terroriste gyleniste/struktura paralele në shtet (FETO/PDY) duke shpjeguar se ndërmjet Turqisë dhe Ballkanit ka një bashkëpunim të ngushtë për sa i takon arsimit fetar.



Lajme të ngjashme