Aksoy: Turqia mund të detyrohet të kundërpërgjigjet ndaj SHBA-së për avionët F-35

Turqia bëri të ditur se mund të detyrohet që të ndërmarrë kundërmasa ndaj vendimit të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për avionët luftarakë F-35...

Aksoy: Turqia mund të detyrohet të kundërpërgjigjet ndaj SHBA-së për avionët F-35

Zëdhënësi i Ministrisë turke të Punëve të Jashtme, Hami Aksoy, deklaroi të premten herët se Turqia do të marrë çdo iniciativë për të mbrojtur firmat e saj nga sanksionet e SHBA-së, pas një vendimi nga Departamenti amerikan i Thesarit për të vendosur sanksione ndaj disa kompanive iraniane dhe turke në një përpjekje për të shënjuar linjat ajrore iraniane.

Gjatë një konference shtypi në Ankara, Hami Aksoy tha se Turqia “i ka plotësuar të gjitha kërkesat” e SHBA-së në lidhje me prodhimin e gjuajtësve F-35 nga kompania “Lockheed Martin” duke nënvizuar se ky është një program shumëkombësh me përgjegjësi të përcaktuara.

“Hapa të tilla janë në kundërshtim me frymën e aleancës që kemi me SHBA-në dhe na detyrojnë të kundërpërgjigjemi”, shtoi zëdhënësi i MPJ turke.

Një komitet i Senatit amerikan miratoi të enjten me 351 vota “pro” dhe 66 “kundër” një projektligj mbi mbrojtjen, ku përfshihen masat për të parandaluar Turqinë që të blejë avionët F-35.

Aksoy tërhoqi vëmendjen se masa e fundit e SHBA-së ka për qëllim të bindë Turqinë që të tërhiqet nga marrëveshja me Rusinë për sistemin e mbrojtjes ajrore S-400 dhe që të lirojë priftin amerikan, Andrew Brunson, i paraburgosur në Turqi me akuzat për lidhje me organizatat terroriste PKK dhe FETO.

Zëdhënësi i MPJ turke u ndal gjithashtu mbi praninë ushtarake të SHBA-së në qytetin verilindor Menbixh të Sirisë duke thënë se një delegacion i amerikan ka mbërritur në Turqi për bisedime të hollësishme rreth kësaj çështjeje.

Ai rikujtoi se pas vizitës së ish-sekretarit amerikan të Shtetit, Rex Tillerson, në muajin shkurt, ndërmjet Turqisë dhe SHBA-së ishin ngritur grupe pune për të diskutuar disa çështje, përfshi këtu stabilizimin e Menbixhit dhe parandalimin e ndonjë përplasjeje të padëshirueshme.

Hami Aksoy bëri me dije edhe se zgjidhjet e grupeve të punës mbi këto çështje do të diskutohen më 4 qershor, gjatë takimit të ministrit të Jashtëm të Turqisë, Mevlut Çavusloglu, me sekretarin e ri amerikan të Shtetit, Mike Pompeo dhe do të finalizohen në një datë të mëvonshme.



Lajme të ngjashme