Operacioni “Dega e Ullirit” – Rritet në 4.448 numri i terroristëve të neutralizuar nga ushtria turke

Forcat e Armatosura të Turqisë njoftuan të shtunën se është rritur në 4.448 numri i përgjithshëm i terroristëve të neutralizuar në kuadër të operacionit “Dega e Ullirit”...

Operacioni “Dega e Ullirit” – Rritet në 4.448 numri i terroristëve të neutralizuar nga ushtria turke

Forcat e Armatosura të Turqisë njoftuan se është rritur në 4.448 numri i përgjithshëm i terroristëve të neutralizuar në kuadër të operacionit “Dega e Ullirit”.

Shtatmadhoria e ushtrisë turke publikoi mëngjesin e së shtunës një komunikatë me shkrim në lidhje me operacionin “Dega e Ullirit”, filluar nga Forcat e Armatosura të Turqisë më 20 janar për të garantuar sigurinë e stabilitetin në kufij dhe Afrin të Sirisë, për të asnjanësuar anëtarët e PKK/KCK/PYD-YPG dhe DAESH-it, si dhe për të shpëtuar popullatën miqësore e vëllazërore të rajonit nga represioni dhe persekutimi i organizatave terroriste.

Komunikata bën me dije se në kuadër të operacionit, 54 ushtarë turq kanë rënë dëshmorë dhe 233 të tjerë janë plagosur deri më sot gjatë luftimeve me anëtarët e organizatave terroriste.

Siç thuhet në komunikatë, vazhdojnë ende aktivitetet e kërkim-asgjësimit të minave dhe bombave artizanale në Afrin, distrikt veriperëndimor sirian që më datë 18 mars 2018 u mor plotësisht nën kontroll nga Forcat e Armatosura të Turqisë dhe Ushtria e Lirë Siriane. Në këtë distrikt, skuadrat antibombë të ushtrisë turke kanë demontuar e asgjësuar gjithsej 214 mina dhe 1.159 eksplozivë artizanalë deri më sot.

Njësitë ushtarake turke, të cilat po ofrojnë asistencën e nevojshme për të garantuar mbërritjen në destinacion të ndihmave humanitare të mundësuara nga Autoriteti i Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë (AFAD), Gjysmëhëna e Kuqe Turke dhe Kombet e Bashkuara, janë duke vazhduar punën e tyre intensive për normalizimin e jetës në Afrin.

“Operacioni ‘Dega e Ullirit’ do të vijojë me të njëjtën këmbëngulje dhe vendosmëri kundër të gjithë terroristëve, derisa të neutralizohet edhe terroristi i fundit, në kuadër të vlerave morale dhe normave të së drejtës ndërkombëtare, për të siguruar paqen dhe stabilitetin në rajon”, theksohet në fund të komunikatës së Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë turke.



Lajme të ngjashme