Rama në takimin e ATTSO-së: Turqia në krah të Shqipërisë me një kontribut të vazhdueshëm

"Që prej daljes nga errësira e komunist, Shqipëria ka pasur në krah Turqinë, me një kontribut të vazhdueshëm në të gjitha fushat", tha shefi i Tiranës zyrtare në Asamblenë së Përgjithshme të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Turqi (ATTSO)...

Murat Ahmet Yörük - Edi Rama - Seyhan Pencablıgil.jpg
Murat Ahmet Yörük - Edi Rama - Seyhan Pencablıgil - ATTSO.jpg
Edi Rama - ATTSO.jpg
Murat Ahmet Yörük - ATTSO.jpg

Shqipëria dhe Turqia janë dy vende me një ambicie të madhe për të ardhmen që i bashkon, deklaroi Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një aktiviteti të organizuar ditën e enjte me rastin e Asamblesë së Përgjithshme të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Turqi (ATTSO).

Gjatë fjalimit në aktivitet, Rama u ndal në marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve, ndihmat e Turqisë që pas përmbysjes së regjimit komunist në Shqipëri, si dhe në investimet turke në vend.

Rama: Shqipëria ka pasur në krah Turqinë me një kontribut të vazhdueshëm

"Ne jemi dy vende me një histori që na lidh dhe me një ambicie të madhe për të ardhmen që na bashkon. Që prej daljes nga errësira e izolimit komunist, Shqipëria ka pasur në krah Turqinë, me një kontribut të vazhdueshëm, ndihmë dhe asistencë teknike në të gjitha fushat, nga infrastruktura, tek shëndetësia, bujqësia e kultura. Mijëra studentë shqiptarë janë arsimuar dhe trajnuar në shkollat e universitetet civile dhe ushtarake të Turqisë duke u bërë një urë e rëndësishme lidhëse e duke mishëruar në të njëjtën kohë, një ndër shembujt më të shkëlqyer të kësaj miqësie dhe të mbështetjes së popullit dhe të vendit mik", tha Rama.

Kryeministri i Shqipërisë theksoi se në çdo rast emergjencash dhe situatash të vështira për shkak të fatkeqësive natyrore, Turqia ka qenë gjithnjë i pari vend që ka nisur ndihmat dhe mbështetjen konkrete të nevojshme.

"Ashtu sikundër i jam shumë mirënjohës Presidentit Erdogan për faktin se është investuar personalisht për të mbështetur një program jashtëzakonisht të rëndësishëm për ne, për parandalimin e përmbytjeve", shtoi Rama.

Sipas tij, vëllimi i shkëmbimeve tregtare vitin e shkuar u rrit rreth me 10 për qind në krahasim me një vit më parë, por ai shtoi se shifra tërësore është jashtëzakonisht e vogël për potencialin e madh.

Duke folur për investimet turke në Shqipëri, Rama tha: "Më vjen jashtëzakonisht mirë që ky do të jetë viti i lançimit të dy investimeve shumë të rëndësishme dhe mjaft simbolike për cilësinë e kësaj marrëdhënieje, investimi për ndërtimin e aeroportit të ri ndërkombëtar të Vlorës dhe investimi nga ana e kompanisë 'Turkish Airlines' për të asistuar ngritjen e linjës sonë kombëtare ajrore".

"Kompanitë turke do të vazhdojnë të kontribuojnë për zhvillimin e Shqipërisë"

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yoruk, në fjalën e tij në aktivitet tha se kompanitë turke do të vazhdojnë të kontribuojnë për zhvillimin e Shqipërisë. Ai theksoi se sukseset që ka arritur në ekonomi dhe në botën financiare, mirëqenien që e ka siguruar për popullin e saj, Turqia synon t'i ndajë me vendet e rajonit.

"Midis Turqisë dhe Shqipërisë ka lidhje vëllazërie me rrënjë të thella. Turqit dhe shqiptarët të lidhur me lidhje historike, kulturore dhe farefisnie janë dy popuj miq, janë dy shtete për paqen në Ballkan dhe kështu duhet të mbeten edhe në të ardhmen. Duke marrë për bazë këtë të shkuar vëllazërore ne dëshirojmë që të ardhmen tonë të përbashkët ta ndërtojmë së bashku me projekte ekonomike konkrete. Aktualisht, vlera e investimeve turke në Shqipëri është 2,7 miliardë dollarë, së afërmi do të arrijmë në dy shifra", tha ambasadori turk.

Një fjalë përshëndetëse mbajti edhe kryetari i Bordit të ATTSO, Seyhan Pencabligil, i cila tha se Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri – Turqi që u themelua në dhjetor të vitit 2014 ka arritur të jetë një organizatë jo qeveritare nga më të rëndësishmet në vend.

"Si dhomë, ndihemi krenarë për kontributin tonë në ekonominë shqiptare. Detyra jonë prioritare është që të çojmë me tej marrëdhëniet tregtare dhe industriale midis dy vendeve mike, siç janë Turqia dhe Shqipëria", tha Pencabligil.

Në aktivitet ishin pjesëmarrës ministra të kabinetit qeveritar të Shqipërisë, përfaqësues të shoqatave shqiptare të biznesit, përfaqësues të institucioneve turke në Shqipëri, si dhe përfaqësues të kompanive anëtare të ATTSO. /AA



Lajme të ngjashme