Erdogan: Marrëdhëniet ekonomiko-tregtare Turqi-Uzbekistan nuk bazohen vetëm në fitime materiale

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka theksuar se qasjet ekonomike dhe tregtare ndërmjet vendit të tij dhe Uzbekistanit nuk bazohen vetëm në interesa dhe fitime materiale...

Erdogan: Marrëdhëniet ekonomiko-tregtare Turqi-Uzbekistan nuk bazohen vetëm në fitime materiale

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka theksuar se qasjet ekonomike dhe tregtare ndërmjet vendit të tij dhe Uzbekistanit nuk bazohen vetëm në interesa dhe fitime materiale.

Erdogan dhe homologu i tij uzbek, Shavkat Mirziyoyev, iu drejtuan me nga një fjalim afaristëve turq dhe uzbekë në Forumin e Biznesit Turqi-Uzbekistan, organizuar në Qendrën EXPO të Tashkentit nga Këshilli i Marrëdhënieve Ekonomike të Jashtme të Turqisë.

Pasi vuri në pah se Uzbekistani është një vend miqësor e vëllazëror, që përbën gati gjysmën e popullsisë së Azisë Qendrore, me një sektor bujqësor të fuqishëm dhe potencial industrial të lartë, me burime natyrore të pasura dhe hapësira të volitshme për investim; kreu i shtetit turk tha se Uzbekistani zotëron gjithashtu një avantazh të rëndësishëm gjeografik duke qenë se është i vetmi shtet fqinj i të gjitha vendeve të Azisë Qendrore dhe njëherësh i Afganistanit.

Ai nënvizoi se Turqia, shteti i parë që e ka njohur Republikën e Uzbekistanit, ka mbështetur me të gjithë forcën e saj hapat e bëra nga ky vend pas mëvetësisë për konsolidimin e ekonomisë kombëtare.

“Projektet e realizuara me kompanitë turke në atë periudhë kanë dhënë kontribut të rëndësishëm për ekonominë uzbeke sot. Rafineritë e naftës në Fergana dhe Buhara, aeroporti dhe terminalet e rinovuara, fabrika e parë e sheqerit, janë të gjitha vepra të realizuara nga ju”, deklaroi lideri turk duke rikujtuar se investitorët turq kanë luajtur një rol efektiv në zhvillimin e Uzbekistanit.

Presidenti Erdogan nënvizoi më tej se bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve është fuqizuar edhe më shumë falë vizitës në Turqi të homologut Mirziyoyev, në vitin 2017.

Sipas tij, marrëdhëniet bilaterale Turqi-Uzbekistan janë ngritur në nivelin e partneritetit strategjik dhe me këtë vizitë i kanë çuar ato në një stad akoma më të avancuar.

“Tani po themelojmë edhe Këshillin e Bashkëpunimit Strategjik me Nivel të Lartë, një mekanizëm i nevojshëm për të sendërtuar edhe në praktikë partneritetin tonë strategjik”, shtoi ai.

Duke tërhequr vëmendjen se Turqia është ekonomia e 17-të më e fuqishme në botë dhe e 6-a në Evropë, Erdogan tha se vendi i tij është një treg shumë i madh me rreth 81 milionë banorë dhe me një vëllim tregtar të jashtëm prej 390 miliardë dollarësh.

Në vitin 2016 – vijoi kreu i shtetit – 46 firma turke renditeshin në mesin e 250 kompanive ndërtimore më të mëdha të botës dhe në këtë aspekt Turqia zë vendin e dytë në botë.

“Popujt dhe njerëzit e dy vendeve tona janë afruar e miqësuar tashmë më shumë me njëri-tjetrin falë liberalizimit të vizave për qytetarët tanë dhe fillimit të fluturimeve të drejtpërdrejta nga Stambolli në Samarkandë dhe anasjelltas”, përfundoi Presidenti Erdogan.



Lajme të ngjashme