Aydin: Turqia e gatshme të luajë rol për zgjidhjen e çështjes palestineze

Nënkryetari i Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë (TBMM), Ahmet Aydin, shprehu të hënën gatishmërinë e vendit të tij për të bërë ç’të jetë e nevojshme për zgjidhjen e çështjes palestineze...

961517
Aydin: Turqia e gatshme të luajë rol për zgjidhjen e çështjes palestineze

Nënkryetari i Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë (TBMM), Ahmet Aydin, shprehu të hënën gatishmërinë e vendit të tij për të bërë ç’të jetë e nevojshme për zgjidhjen e çështjes palestineze.

Ahmet Aydin mbajti një fjalim në konferencën ndërkombëtare me temë “Procesi i Paqes së Palestinës”, organizuar me rastin e përurimit të Kuvendit Kombëtar Palestinez në Ramallah.

“Pavarësisht qëndrimit proizraelit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pala që kërkon paqen me durim është administrata palestineze”, deklaroi ai dhe shtoi se vendimi i Presidentit amerikan, Donald Trump, për të njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit, ka ndrydhur si të drejtën ndërkombëtare ashtu edhe ndërgjegjen globale.

Me këtë vendim – vijoi nënkryetari i Parlamentit turk – Shtetet e Bashkuara të Amerikës i treguan gjithë botës se nuk janë një ndërmjetësues i paanshëm për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

“Ne duhet të këmbëngulim për themelimin e një shteti palestinez të lirë dhe sovran me kufijtë e vitit 1967 dhe me kryeqytet Jerusalemin Lindor, si rrugë e vetme e pranueshme dhe e vlefshme për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Palestinë”, tha ai.

Aydin rikujtoi se Turqia mbështet propozimin që Kryetari i Shtetit të Palestinës, Mahmoud Abbas, i ka paraqitur Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për ngritjen e një platforme ndërkombëtare shumëpalëshe për procesin e paqes në Lindjen e Mesme.

“Si Turqi, ne jemi të gatshëm të luajmë çdo rol që mund të na takojë rreth kësaj çështjeje”, shtoi nënkryetari i Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë.

Në vijim, Aydin vuri në pah se Palestina njihet nga 137 shtete, por ky numër s’është i mjaftueshëm.

“Dua të pyes sidomos vendet anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat nuk e kanë njohur ende Shtetin e Palestinës: Nëse jo tani, kur atëherë? Tani është koha për të njohur Shtetin e Palestinës”, u shpreh ai në një thirrje drejtuar BE-së.

Nënkryetari i Parlamentit turk foli më tej mbi vendimin e SHBA-së për të ndërprerë ndihmat për Palestinën duke nënvizuar se Turqia do të vazhdojë dërgimin e ndihmave për të fuqizuar qëndresën dhe rezistencën e palestinezëve.

“Turqia ka vendosur t’i dhurojë 10 milionë dollarë Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Ndihmë dhe Punë për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA). Gjatë ditëve në vijim, Presidenti Recep Tayyip Erdogan do të presë komisarin e përgjithshëm të UNRWA-së për të shqyrtuar se çfarë mund të bëjë Turqia më shumë për popullin palestinez”, njoftoi ai.

Në fund, Ahmet Aydin rikujtoi se Jerusalemi Lindor u njoh si kryeqytet i Palestinës në Samitin e Jashtëzakonshëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islam, në Stamboll, si dhe tërhoqi vëmendjen se Turqia ka marrë përsipër një rol të rëndësishëm për t’u shpjeguar aktorëve ndërkombëtar këtë vendim me peshë.



Lajme të ngjashme