Aeroporti i Ri i Stambollit shqetëson rivalët

Sipas komentit të gazetës gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” kur të hapet Aeroporti i Ri i Stambollit, rëndësia e Aeroportit të Frankfurtit do të reduktohet në masë të madhe.

Aeroporti i Ri i Stambollit shqetëson rivalët

Aeroporti i ri i Stambollit, i cili do të jetë vitrina botërore e Turqisë kur të hyjë në punë, i ka shtyrë aeroportet e tjera të mëdha në Evropë të rrisin aftësitë konkurruese.

Aeroporti i Ri i Stambollit planifikohet të hapet më 29 tetor dhe kur të përfundojë do të jetë aeroporti më i madh në botë. Është një projekt që ka bërë bujë në opinionin publik ndërkombëtar dhe që nuk do të ndikojë vetëm hapësirën ajrore të Stambollit, por edhe hapësirën ajrore evropiane.

 

Projekti ndiqet nga afër edhe në Evropë. Një nga shkrimet më interesante rreth Projektit të Aeroportit të Ri të Stambollit në median gjermane është botuar në gazetën “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.

Sipas komentit të gazetës gjermane, kur të hapet Aeroporti i Ri i Stambollit, rëndësia e Aeroportit të Frankfurtit do të reduktohet në masë të madhe.

Në këtë kontekst, shihet se disa aeroporte të mëdha kanë marrë masa të reja ose kanë forcuar masat ekzistuese.

Sipas gazetës gjermane në aeroportin “Heathrow” të Londrës ka filluar puna për rritjen e kapaciteteve dhe është marrë vendimi për ndërtimin e pistës së tretë.

Aeroporti i Frankfurtit gjithashtu synon të ndërtojë një terminal të tretë deri në vitin 2023.

Ndërkaq pak kohë më parë është pretenduar se afati për mbarimin e seksionit G të terminalit të 3-të në fjalë është shkurtuar me 3 vite dhe planifikohet të përfundojë në vitin 2020.

Christian Engel, zëdhënësi i Fraport-it, që është kompania administruese e aeroportit të Frankfurtit, në deklaratat që bëri lidhur me Projektin e Infrastrukturës dhe Terminalit të 3-të, konfirmoi lajmet lidhur me shkurtimin me 3 vite të afatit lidhur me përfundimin e seksionit G të terminalit 3.

 

Engel tha se faza e parë e ndërtimit të Terminalit 3, që përfshin seksionet H dhe J dhe i cili është projektuar për të siguruar një kapacitet prej 14 milionë pasagjerësh, vazhdon sipas planifikimit.

"Përurimi i kësaj pjese të parë të Terminalit 3, pra inaugurimi i produktit tonë ‘premium’, planifikohet ende të bëhet në vitin 2023", u shpreh zëdhënësi i kompanisë.

Aeroporti i Ri i Stambollit, projekti më i madh aeroportual në botë që ndërtohet nga e para, kur të kenë përfunduar të gjitha fazat e ndërtimit të tij, do të ketë një kapacitet vjetor prej 200 milionë pasagjerësh.

Disa nga veçoritë dalluese të Aeroportit të Ri të Stambollit janë: fluturime në më shumë 350 destinacione; 143 ura për hipjen e pasagjerëve në avion, 13 ishuj për check-in, 468 sportele, 114 ‘self check-in’, 228 pika kontrolli të pasaportës, 51 njësi për dorëzimin e bagazheve dhe hyrjet me e-pasaport.



Lajme të ngjashme