Gjykata vendosi ‘arrest me burg’ për dy oficerët grekë

Gjykata Penale e Paqes e Shkallës së Parë Nr.2 në Edirne në seancën gjyqësore ka vendosur për vazhdimin e masës së sigurisë ‘arrest me burg’ për dy ushtarakët grekë.

Gjykata vendosi ‘arrest me burg’ për dy oficerët grekë

Për dy ushtarakët grekë, të arrestuar pasi ishin kapur në një zonë të ndaluar ushtarake në Edirne, është marrë vendimi për vazhdimin e masës së sigurisë “arrest me burg”.

Togeri Aggelos Mitretodis dhe rreshteri Dimitros Kouklatzis, pjesëtarë të ushtrisë greke, më 2 mars ishin kapur pranë vendbanimit të quajtur Pazarkule nga ekipet e rojës kufitare me emrin “Shqiponjat e kufirit”, në varësi të Komandës së Brigadës së 54-të të Këmbësorisë së Mekanizuar ndërsa ishin duke kryer detyrën e patrullimit në kufi. Masa e sigurisë “arrest me burg” për dy ushtarakët grekë u shqyrtua në seancë nga Gjykata Penale e Paqes e Shkallës së Parë Nr.2 në Edirne.

Avokatët e ushtarakëve grekë, Hakan Yalçındağ dhe Selin Özel në seancë gjyqësore kërkuan lirimin e ushtarakëve.

Në fund të procesit, duke marrë në konsideratë faktet dhe rrethanat si: provat konkrete që tregojnë ekzistencën e dyshimit të fortë që të dyshuarit e kanë kryer veprën penale që rëndon mbi ata; është krijuar opinioni lidhur me dyshimin mbi arratisjen e të dyshuarve në rast të lirimit të tyre, për arsye se ata nuk kanë një adresë qëndrimi në Turqi; vepra penale për të cilën akuzohen të dyshuarit është kryer nga persona që kanë statusin e ushtarakut; mënyra e kryerjes së veprës penale; parashikimi nga ligji turk i dënimit me 5 vite burgim për veprën penale që rëndon mbi ata, Gjykatësi vendosi për vazhdimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për ushtarakët grekë, me arsyetimin se kjo masë e sigurisë është brenda kufijve të proporcionalitetit dhe se masat e tjera të sigurisë (kontrollit gjyqësor) do të ishin të pamjaftueshme.

Sipas përmbajtjes së dosjes dhe konstatimeve të bëra, ushtarakeve grekë u ishin gjetur skica ushtarake të regjistruara në memorie të jashtme.

Gjithashtu ishin konfiskuar edhe 2 telefona celularë dhe një kripto-telefon (telefon me shifër që përdoret për komunikim ushtarak), të cilat u ishin kapur ushtarakëve.



Lajme të ngjashme