Erdogan: Gabim i rëndë për Evropën nëse do ta shtynte Turqinë jashtë politikës së zgjerimit

Presidenti Recep Tayyip Erdogan, deklaroi të hënën nga Bullgaria se do të ishte një "gabim i rëndë" nëse Evropa do ta shtynte Turqinë jashtë politikës së saj të zgjerimit...

Erdogan: Gabim i rëndë për Evropën nëse do ta shtynte Turqinë jashtë politikës së zgjerimit

Presidenti Recep Tayyip Erdogan deklaroi të hënën vonë se shpresojnë që të kenë lënë pas periudhën e vështirë në marrëdhëniet Turqi-Bashkimi Evropian.

Erdogan foli në konferencën e përbashkët për shtyp, e cila u realizua në fund të samitit Turqi-BE, në qytetin Varna të Bullgarisë.

“Do të ishte një gabim i rëndë për Evropën, e cila pretendon të jetë një fuqi globale, nëse do ta shtynte Turqinë jashtë politikës së saj të zgjerimit”, tha ai.

Pasi rikujtoi se në bisedimet e mëparshme me BE-në janë bërë premtime të ndërsjella në lidhje me zgjidhjen e problemeve të përbashkëta, kreu i shtetit turk tha se vendi i tij i ka përmbushur së tepërmi angazhime dhe përgjegjësitë që i takonin, me në krye emigracionin e parregullt.

“Bashkimi Evropian i ka dhënë Turqisë vetëm 1,8 miliardë euro nga 3 miliardë të premtuara për nevojat e sirianëve të strehuar në vendin tim. Zvarritja burokratike është e patolerueshme në rastin e krizave humanitare”, theksoi Erdogan.

Ai tha më tej se BE-ja duhet të veprojë sa më parë të jetë e mundur edhe në lidhje me liberalizimin e vizave për qytetarët turq.

“Kjo s'duhet të transformohet në një çështje politike. Shprehëm po ashtu të priturat tona për fillimin e procesit të azhurnimit të Unionit Doganor”, potencoi lideri turk.

Në vijim, Erdogan u ndal mbi luftën kundër terrorizmit.

“Operacionet tona kundër terrorizmit kontribuojnë jo vetëm në sigurinë tonë dhe të sirianëve, por edhe në sigurinë e Evropës. Operacionet antiterrorizëm do vazhdojnë sa të jetë e nevojshme”, theksoi ai.

“Tani ne presim mbështetje të fortë (nga Evropa) për çështje të ndjeshme të tilla si lufta kundër terrorizmit, në vend të kritikave të pabaza dhe të padrejta”, shtoi kreu i shtetit turk.

Nga ana tjetër, Erdogan vuri në pah se Bashkimi Evropian nuk do mund të kontribuojë dot në zgjidhje e çështjes së Qipros për sa kohë që nuk mban një qëndrim të drejtë.

“Përfshirja e turkoqipriotëve në mekanizmat vendimmarrëse për burimet natyrore rreth ishullit është një domosdoshmëri që buron nga e drejta ndërkombëtare. Ne i bëjmë thirrje BE-së që të jetë e drejtë në lidhje me Qipron”, deklaroi ai.

Lideri turk u bëri thirrje shteteve anëtare të BE-së edhe që të bashkëpunojnë për stabilitet dhe mirëqenie në Ballkan dhe rajone të tjera me interes ndërkombëtar.

“Ejani të punojmë se bashku për të garantuar stabilitetin dhe mirëqenien në Ballkan, një rajon gjeografik me interes të përbashkët. Ejani të zgjerojmë bashkëpunimin në çështje ndërkombëtare si Siria, Iraku, Palestina, Jerusalemi, Jemeni, Arakani dhe Afrika. Ejani ta ndërtojmë së bashku Evropën si simbol i fortë i lulëzimit dhe stabilitetit”, tha mes të tjerash Presidenti Erdogan.



Lajme të ngjashme