Turqia në zi, 8 dëshmorë dhe 13 të plagosur në operacionin “Dega e Ullirit”

Turqia është në zi kombëtare, pasi 8 ushtarë turq kanë rënë dëshmorë të enjten pasdite gjatë operacionit “Dega e Ullirit”, që vijon në distriktin Afrin të Sirisë...

Turqia në zi, 8 dëshmorë dhe 13 të plagosur në operacionin “Dega e Ullirit”

Turqia është në zi kombëtare, pasi 8 ushtarë turq kanë rënë dëshmorë të enjten pasdite gjatë operacionit “Dega e Ullirit”, që vijon në distriktin Afrin të Sirisë.

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Turqisë njoftoi përmes një deklarate të shkruar se në ofensivat e realizuara në Afrin, në kuadër të operacionit “Dega e Ullirit”, 8 ushtarë kanë rënë dëshmorë dhe 13 të tjerë janë plagosur.

“Allahu i mëshiroftë martirët tanë të shenjtë, të cilët humbën jetën në këtë sulm që na zhyti në një hidhërim dhe dhimbje të thellë. Ne u shprehim ngushëllimet tona dhe u urojmë durim familjeve të pikëlluara të dëshmorëve tanë, Forcave të Armatosura të Turqisë dhe kombit të madh turk; ndërsa të plagosurve tanë, që u evakuuan menjëherë për trajtim mjekësor, u dëshirojmë shërim sa më të shpejtë”, thuhet mes të tjerash në komunikatën e Shtatmadhorisë së ushtrisë turke.

Nga ana tjetër, Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, që po qëndron në Senegal për kontakte zyrtare në kuadër të turneut të vizitave në 4 shtete të Afrikës Perëndimore, ka marrë në telefon shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneralarmate Hulusi Akar dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Suleyman Soylu, të cilët e kanë informuar në detaje për konfrontimin në fjalë ndërmjet forcave të sigurisë dhe terroristëve në një nga zonat rurale të Afrinit.

Siç bëjnë të ditur burime nga Presidenca e Republikës së Turqisë, Erdogan është shprehur thellësisht i pikëlluar nga humbja e 8 ushtarëve në këto luftime duke uruar mëshirë nga Allahu për dëshmorët dhe shërim të shpejtë për të plagosurit.

Presidenti Erdogan gjithashtu shprehu ngushëllimet e tij për familjet e pikëlluara të martirëve dhe për të gjitha forcat e sigurisë, me në krye Komandën e Xhandarmërisë.

Kurse ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Nurettin Canikli, bëri me dije se në total, 41 pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Turqisë kanë humbur jetën deri më sot në kuadër të operacionit “Dega e Ullirit”, që vazhdon prej 20 janarit në Afrin të Sirisë.

Sipas tij, në luftime kanë gjetur vdekjen edhe 116 pjesëtarë të Ushtrisë së Lirë Siriane, që mbështet operacionin në fjalë të ushtrisë turke.



Lajme të ngjashme