Zeybekci: Marrëveshja e bashkëpunimit Turqi-ECOWAS, arritje me rëndësi historike

Ministri i Ekonomisë së Turqisë, Nihat Zeybekci, deklaroi të premten se marrëveshja e bashkëpunimit, firmosur ndërmjet vendit të tij dhe Komunitetit Ekonomik të Shteteve të Afrikës Perëndimore (ECOWAS), është me rëndësi historike...

Zeybekci: Marrëveshja e bashkëpunimit Turqi-ECOWAS, arritje me rëndësi historike

Ministri i Ekonomisë së Turqisë, Nihat Zeybekci, deklaroi të premten se marrëveshja e bashkëpunimit, firmosur ndërmjet vendit të tij dhe Komunitetit Ekonomik të Shteteve të Afrikës Perëndimore (ECOWAS), është me rëndësi historike.

“Po përpiqemi të ndërtojmë një raport institucional me ECOWAS-in, ku jeton 30 për qind e popullsisë së përgjithshme të Afrikës, ku përfaqësohen 25 për qind e të ardhurave kombëtare afrikane dhe është një nga gurët e themelit të iniciativës së Turqisë për Afrikën”, bëri me dije ministri Zeybekci.

Gjatë fjalës së rastit në një drekë pune, organizuar në kuadër të Forumit Ekonomik dhe të Biznesit Turqi-ECOWAS, Zeybekci tha se ky takim është shumë i suksesshëm dhe se bisedimet po rezultojnë mjaft të ngjeshura.

Ai vuri në pah se shkëmbimet tregtare të Turqisë me vendet e ECOWAS-it janë 10-fishuar në 15 vitet e fundit.

“Si Turqi, ne duam të shkojmë drejt integrimit institucional me ECOWAS-in e themeluar në vitin 1975, ku mallrat, shërbimet, investimet lëvizin lirshëm dhe po avancohet me shpejtësi në drejtim të unionit monetar. Me ECOWAS-in, ne kërkojmë një bashkëpunim të përhershëm dhe shumë gjithëpërfshirës nëpërmjet marrëveshjes së tregtisë së lirë”, deklaroi ministri turk i Ekonomisë.

Pasi njoftoi se ndërmjet Turqisë dhe ECOWAS-it është arritur konsensusi për një marrëveshje të thellë dhe tërësore të tregtisë së lirë, Zeybekci shpjegoi rrugën që vendi i tij duhet të ndjekë për arritjen e këtij synimi.

“Ne do të përgatisim raportin e vlerësimit të ndikimit deri në fund të vitit 2018 dhe sipas rezultateve të këtij raporti do të vendoset në lidhje me marrëveshjen e tregtisë së lirë ndërmjet Turqisë dhe Komunitetit Ekonomik të Shteteve të Afrikës Perëndimore”, specifikoi shefi i ekonomisë turke.



Lajme të ngjashme