Akar: Turqia e aftë të bëjë operacion në Afrin dhe të kontrollojë Egjeun

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Turqisë, Gjeneralarmate Hulusi Akar, deklaroi të premten se Turqia është e aftë të kryejë operacion në Afrin dhe në të njëjtën kohë të kontrollojë Egjeun...

Akar: Turqia e aftë të bëjë operacion në Afrin dhe të kontrollojë Egjeun

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Turqisë, Gjeneralarmate Hulusi Akar, deklaroi të premten se Turqia është e aftë të kryejë operacion në Afrin dhe në të njëjtën kohë të kontrollojë Egjeun.

Përmes një Avioni për Paralajmërim të Hershëm dhe Kontroll Ajror (AEW&C), Hulusi Akar mbikëqyri aktivitetet e Forcave Tokësore dhe Ajrore të Turqisë që marrin pjesë në operacionin në veri të Sirisë, ndërsa u shoqërua nga komandanti i Forcave Tokësore, Gjeneralarmate Yasar Guler, komandanti i Forcave Detare, Admirali Adnan Ozbal, si dhe nga komandanti i Forcave Ajrore, Gjeneralarmate Hasan Kuçukakyuz.

Nga komandantët në terren, Gjenerali Akar u informua rreth operacioneve dhe aktiviteteve të zhvilluara në rajon dhe përcolli direktivat e tij në lidhje me to.

Pasi mbërriti në zonën e Egjeut, Akar kontrolloi nga AEW&C-ja punimet e kryera nga Forcat Detare dhe Ajrore me detyrë në Mesdheun Lindor dhe në detin Egje. Më tej, kreu i ushtrisë turke kaloi në Izmir duke u informuar mbi ecurinë e punimeve të Qendrës së Vëzhgimit dhe Koordinimit të Forcave Detare, ku u takua me komandantët përkatës.

Në një fjalim gjatë kontrollit dhe vëzhgimeve, Akar njoftoi se Forcat e Armatosura të Turqisë vazhdojnë me vendosmëri operacionet kundër terrorizmit në lindje dhe juglindje të vendit.

Akar vuri në pah se lufta kundër të gjitha organizatave terroriste në Irak dhe në veri të Sirisë po vazhdon me sukses duke shtuar se Turqia e ka ndërmarrë operacionin "Dega e Ullirit" në kuadër të së drejtës për vetëmbrojtje, e cila buron nga e drejta ndërkombëtare dhe rezolutat e OKB-së.

"Turqia nuk synon territorin e askujt. Operacioni po kryhet duke respektuar integritetin territorial të Sirisë. Objektivi themelor i operacionit është vendosja e sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe, menjëherë pas kësaj, rikthimin e vëllezërve tanë sirianë që janë dëbuar me forcë nga vendi i tyre", tha shefi i Forcave të Armatosura të Turqisë.

Akar potencoi se ushtria turke është e vendosur të mbrojë të drejtat dhe interesat e Turqisë në Mesdheun Lindor dhe në Egje duke shtuar se ushtria turke mund të kontrollojë tërë Mesdheun Lindor dhe Egjeun me teknologjinë e lartë që zotëron.

"Ne kemi aftësinë të kryejmë operacion në Afrin dhe në të njëjtën kohë të kontrollojmë Egjeun", siguroi ai.

Brenda ditës së premte Gjenerali Akar kontrolloi dhe inspektoi 3 rajone të ndryshme të vendit, ndërsa më pas informoi Presidentin Recep Tayyip Erdogan në lidhje me zhvillimet.



Lajme të ngjashme