Keni pikëpyetje rreth PKK/KCK/PYD-YPG? Shihni masakrat e tyre ndaj civilëve në kampin Atmeh

Ministri i Brendshëm iTurqisë, Suleyman Soylu, deklaroi të mërkurën se kushdo që ka ende pikëpyetje në lidhje me organizatën separatiste terroriste PKK/KCK/PYD-YPG, mjafton të shikojë se si ajo masakron civilët në kampin Atmeh të Sirisë...

Keni pikëpyetje rreth PKK/KCK/PYD-YPG? Shihni masakrat e tyre ndaj civilëve në kampin Atmeh

Ministri turk i Punëve të Brendshme, Suleyman Soylu, deklaroi të mërkurën se kushdo që në mendjen e tij ka ende pikëpyetje në lidhje me organizatën separatiste terroriste PKK/KCK/PYD-YPG, mjafton të shikojë se si ajo masakron civilët në kampin Atmeh të Sirisë.

Duke folur gjatë një programi në Stamboll, ministri Soylu tërhoqi vëmendjen mbi lajmet dhe raportet e mediave të jashtme për të hedhur baltë mbi operacionin “Dega e Ullirit”.

Ai reagoi fuqishëm kundër atyre që e pasqyrojnë çështjen duke bërë deformime.

“Disa nuk qenkan bindur se PYD/YPG-ja është organizatë terroristë. Të tjerë s’paskan informacione. Dikush i ka dhënë 5.000 mauna me armë për të luftuar kundër DAESH-it. Kurse Turqia nuk paska arsye përse të shqetësohet. Ndërkohë që disa qenkan kinse të shqetësuar për humbjet civile dhe i bëkan Turqisë thirrje për vetëpërmbajtje. Çfarëdo pikëpyetje që kanë në mendjet e tyre, ja ku e kanë përgjigjen, në sulmet e djeshme të organizatës terroriste në Atmeh (ku humbën jetën 3 civilë dhe u plagosën 15 të tjerë)”,  u shpreh ministri i Brendshëm turk.

Soylu theksoi gjithashtu se anëtarët e organizatës separatiste terroriste PKK/KCK/PYD-YPG, që kanë pushtuar disa vendbanime në zonat veriore të Sirisë, me armët e dhëna nga SHBA-ja po sulmojnë edhe civilët në territoret turke.

“Është fare e qartë se kush është dhe çfarë bën. Dihet kush i jep armët dhe kush i përdor ato. Fare e qartë është gjithashtu se kujt i drejtohen këto armë. PYD/YPG-ja është një organizatë terroriste. Është njësoj me organizatën separatiste terroriste PKK. Ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës u kanë siguruar e dhuruar armë këtyre organizatave terroriste. Kjo është diçka e pamohueshme dhe as që mund të mbulohet. Opinioni publik botëror dhe përfaqësuesit e tij, të cilët i kushtojnë rëndësi humbjeve civile, duhet të kenë diçka për të thënë në lidhje me këtë”, nënvizoi mes të tjerash ministri Soylu.



Lajme të ngjashme