Turqia pret përmbushjen e përgjegjësive nga të gjithë aktorët në Siri

MPJ e Turqisë publikoi një deklaratë në lidhje me rezultatet e punimeve të Kongresit të Dialogut Kombëtar Sirian të mbajtur në Soçi të Rusisë.

Turqia pret përmbushjen e përgjegjësive nga të gjithë aktorët në Siri

Turqia pret nga të gjithë aktorët në Siri të përmbushin përgjegjësitë e tyre në lidhje me Kongresin e Dialogut Kombëtarë Sirian.

Në deklaratën me shkrim të publikuar nga Ministria e Jashtme e Turqisë në lidhje me rezultatet e arritura në Kongresin e Dialogut Kombëtarë Sirian të mbajtur në Soçi të Rusisë u tha se “Turqia pret që të gjithë aktorët në Siri ti përmbushin përgjegjësitë që u takojnë”.

Kongresi i Dialogut Kombëtar Sirian i organizuar nga Federata e Rusisë më 30 janar 2018 në Soçi u monitorua nga Turqia e ftuar si garantuese e opozitës siriane.

“Vendi ynë vuri theksin në gatishmërinë e tij për të mbështetur këtë iniciativë gjatë Samitit të Soçit të mbajtur më 22 nëntor 2017, në të cilin mori pjesë edhe Presidenti Erdogan, duke pasur parasysh se Kongresi mund të kontribuojë në procesin e Gjenevës me kusht që pjesëmarrja e OKB-së të sigurohet dhe t'i kushtohet rëndësi rolit të pozitës së besueshme në procesin politik”, u tha në deklaratë.

 

Për shkak të shkeljeve të fundit të armëpushimit në terren, si dhe për shkak të shqetësimeve dhe paqartësive të pazgjidhura në lidhje me Kongresin, Komiteti i Lartë i Negociatave dhe Koalicioni Kombëtar Sirian vendosën të mos marrin pjesë në Kongres. Në anën tjetër, një delegacion i përbërë nga disa anëtarë të opozitës që udhëtuan nga Ankaraja në Soçi për të ndjekur Kongresin, refuzuan të hyjnë në vend në reagim ndaj posterëve, logos dhe flamurit të regjimit që ishin të vendosur në Qendrën ku do të mbahej kongresi dhe në aeroport.

“Rezultati më i rëndësishëm i Kongresit ishte thirrja për krijimin e një Komisioni Kushtetues dhe përzgjedhjen e një grupi prej 150 kandidatësh për këtë komitet. Delegacioni turk, i cili u autorizua për të përfaqësuar grupet e opozitës që nuk morën pjesë në Kongres, paraqiti një listë prej 50 kandidatësh të përgatitur në konsultim me opozitën”, thuhet në deklaratë.

Në fazën tjetër, pritet që i dërguari i posaçëm i OKB për Sirinë të krijojë një Komitet Kushtetues, i cili do të kujdeset për përfaqësimin proporcional të opozitës në përputhje me Procesin e Gjenevës që u zhvillua deri më sot dhe në përputhje me rezolutën 2254 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Gjatë formimit të këtij komiteti, i dërguari i posaçëm i OKB-së mbi Sirinë do të jetë i autorizuar të emërojë emrat nga lista e 150 kandidatëve ose jashtë listës. Procesi i themelimit të Komitetit Kushtetues do të monitorohet nga afër nga Turqia si garantues i opozitës.

“Turqia do të vazhdojë të mbështesë në të gjitha platformat përpjekjet për një zgjidhje politike që do të sjellë një ndryshim të vërtetë politik në Siri në përputhje me Rezolutën 2254 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Turqia pret që të gjithë aktorët që kanë ndikim mbi regjimin sirian dhe në terren për të përmbushur përgjegjësitë e tyre në drejtimin e palëve në konflikt në Siri për të negociuar një zgjidhje të besueshme politike”, u tha ndër të tjera në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Turqisë.



Lajme të ngjashme