Kryeministri Yildirim: Asnjë humbje deri tani

Kryeministri Binali Jëlldërëm (Binali Yıldırım) tha të hënën se deri tani nuk ka asnjë humbje në radhët e trupave turke që marrin pjesë në operacionin “Dega e Ullirit”.

894385
Kryeministri Yildirim: Asnjë humbje deri tani

Kryeministri i Turqisë, Binali Yıldırım, pas takimit me kryetarin e Partisë Popullore Republikane (CHP), Kemal Këllëçdarollu (Kemal Kılıçdaroğlu) në Ankara deklaroi se në operacionin “Dega e Ullirit” nuk kanë humbur asnjë ushtar.

Jëlldërëm rikujtoi se më 20 janar ka nisur Operacioni “Dega e Ullirit” me qëllim çlirimin e rajonit të Afrinit në Siri nga pjesëtarët e organizatës terroriste PYD/PKK, e cila është aktive në këtë rajon për një kohë të gjatë.

Kryeministri foli edhe për emrin e operacionit. “Afrini është një rajon i njohur për ullinjtë. Operacioni drejt Afrinit është operacion paqësor”, tha Jëlldërëm, duke shtuar se kujdes të veçantë do t’i kushtohet moslëndimit të civilëve.

 

Ai theksoi se operacioni ka vazhduar me sukses në ditën e tretë, ku gjatë dy ditëve të para më shumë se njëqind avionë shkatërruan mbi 170 objektiva. Jëlldërëm rikujtoi se më 21 janar ka filluar edhe operacioni tokësor.

“Deri në këtë moment nuk kemi humbur asnjë ushtar, por ka pasur sulme ndaj ushtarëve tanë të pozicionuar në Kilis dhe një ushtar i yni është plagosur lehtë. Me operacionin ajror të kryer mbrëmë, është bombarduar pozicioni në Afrin, nga ku u lëshua një raketë në drejtim të Reyhanli, e cila u shkatërrua”, tha kryeministri turk, i cili rikujtoi se sot është kryer një sulm në qytezën Kirikhan, në Hatay, ku si pasojë ka humbur jetën një i punësuar në kompaninë për shpërndarjen e energjisë elektrike.

Ai shtoi se populli turk vazhdon të përkrahë dhe të lutet për triumfin e forcave turke. Jëlldërëm tha se ky operacion do të përfundojë së shpejti dhe do të sjellë paqe për njerëzit që jetojnë në Afrin, si dhe do të eliminohet kërcënimi dhe ndalen sulmet në kufirin turk dhe provincat Kilis dhe Hatay.

Kurse lideri i partisë CHP, Këllëçdarollu (Kılıçdaroğlu) tha se siguria kufitare e Turqisë është shumë e rëndësishme dhe ushtarët vazhdojnë përpjekjen e tyre për të ruajtur kufijtë e atdheut. “Dëshira jonë më e madhe është që ushtarët të kthehen të palënduar në shtëpi”, tha Këllëçdarollu duke vënë theksin në integritetin territorial të Sirisë.

 


Lajme të ngjashme