Çavusoglu kritikon qëndrimin e SHBA-së në lidhje me organizatën terroriste FETO

Ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu, kritikoi pasditen e së premtes qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në lidhje me organizatën terroriste gyleniste (FETO)...

Çavusoglu kritikon qëndrimin e SHBA-së në lidhje me organizatën terroriste FETO

Ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu, kritikoi pasditen e së premtes qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në lidhje me organizatën terroriste gyleniste (FETO).

“E gjithë bota e ka kuptuar tashmë se FETO-ja është një organizatë terroriste, tradhtare. Në dashtë Zoti, një ditë këtë do ta kuptojë edhe SHBA-ja. Fatkeqësisht, nga SHBA-ja nuk e kemi parë ende mbështetjen e kërkuar deri më sot. Kërkesat tona për ekstradim nuk janë realizuar, ende nuk është hapur një hetim”, vlerësoi ai gjatë një takimi me qytetarët turq në Los Anxhelos.

Çavusoglu u ndal veçanërisht mbi problemet në marrëdhëniet turko-amerikane.

“SHBA-ja është një prej aleatëve tanë më të rëndësishëm. Mund të kemi divergjenca për disa çështje të caktuara dhe gjithashtu ulje-ngritje në marrëdhëniet tona, por kjo çështja e FETO-s dhe furnizimi me armë i PYD-së nga SHBA-ja kanë shkaktuar tensionim në raportet tona. Megjithatë edhe këto po përpiqemi t’i kapërcejmë nëpërmjet dialogut. Në fakt, edhe takimi i dy ditëve më vonë në Vankuver, ku do të marrim pjesë bashkë me SHBA-në, është një pasqyrim i aleancës që kemi ndërtuar mes nesh që prej Luftës së Koresë e këtej”, u shpreh ministri turk i Punëve të Jashtme.

Në vijim, Mevlut Çavusoglu foli për zhvillimet e fundit në Siri dhe përpjekjet e Turqisë për vendosjen e paqes në këtë vend.

“Vitet e kaluara i kemi kaluar duke diskutuar vazhdimisht për masakrat në Siri, por në 2017-n, sidomos me Procesin e Astanës dhe hapat që kemi bërë, sot kushtet në Siri janë më të mira. Mos vallë janë plotësisht të mira? Sigurisht që jo. Kushtet nuk mund të jenë të mira pa u arritur zgjidhja politike dhe pa u vendosur stabiliteti, megjithatë po shkojmë drejt të mirës. Jemi fokusuar tek procesi politik. Turqia këtu po luan rolin protagonist”, theksoi kryediplomati turk.

Tjetër çështje e agjendës së tij ishte edhe situata aktuale në Irak.

“Që të dyja palët në Irak po kërkojnë prej nesh ndërmjetësim për zgjidhjen e problemit. Administrata rajonale bëri një gabim serioz dhe më pas e kuptoi gabimin e saj, por me rëndësi për ne është stabiliteti dhe integriteti kufitar i Irakut. Unë do të shkoj në Bagdad më datë 21 janar. Me lejen e Allahut, Turqia do të luajë një rol të rëndësishëm edhe në zgjidhjen e këtij problemi. Ne s’kemi një agjendë të fshehtë, nuk kemi pretendime mbi territoret e asnjë vendi. Drejtësia është ajo çfarë ne mbrojmë”, siguroi Çavusoglu.

Pas kontakteve në Los Anxhelos të SHBA-së, shefi i diplomacisë turke do të shkojë në qytetin Vankuver të Kanadasë, ku do të marrë pjesë në Takimin e Ministrave të Jashtëm me temë “Siguria dhe Stabiliteti në Gadishullin Korean”, organizuar nën kujdesin e përbashkët të ministres kanadeze të Punëve të Jashtme, Chrystia Freeland dhe sekretarit amerikan të Shtetit, Rex Tillerson.

Në këtë suazë, Çavusoglu do të realizojë gjithashtu një sërë takimesh dypalëshe me homologët e tij të pranishëm në aktivitet.



Lajme të ngjashme