MPJ turke u kërkon ambasadorëve rus dhe iranian sqarime për sulmet e regjimit sirian në Idlib

Ambasadorët e Rusisë dhe Iranit në Ankara janë thirrur në Ministrinë turke të Punëve të Jashtme për t’u komunikuar shqetësimin nga sulmet e regjimit të Esedit në Idlib të Sirisë...

MPJ turke u kërkon ambasadorëve rus dhe iranian sqarime për sulmet e regjimit sirian në Idlib

Shefave të misioneve diplomatike ruse dhe iraniane në kryeqytetin turk, Aleksey Yerhov dhe Mohammad Ebrahim Taherian Fard, u është kërkuar të paraqiten në Ministrinë e Jashtme të Turqisë për shkak të sulmeve të regjimit sirian në zonat e çtensionimit në Idlib.

Siç bëjnë të ditur burimet diplomatike, shqetësimi i Ankarasë në lidhje me shkeljet e regjimit në zonat e çtensionimit në Siri u është përcjellë autoriteteve të Rusisë dhe Iranit, dy shtete garantuese të regjimit në Procesin e Astanës, nëpërmjet kanaleve ushtarake dhe diplomatike.

Bëhet e ditur se pas vazhdimit të shkeljeve në Siri, ambasadori rus në Ankara, Yerhov, është thirrur të martën në Ministri dhe i është shprehur në mënyrë të fuqishme reagimi dhe shqetësimi i Turqisë në lidhje me këtë çështje.

Atij i është kërkuar gjithashtu që regjimit sirian t’i komunikohen mesazhet e nevojshme për t’u dhënë fund urgjentisht shkeljeve, të cilat po realizohen në procesin që çon në Kongresin e Dialogun Kombëtar Sirian, i cili do të mbahet më 29-30 janar në qytetin Soçi të Rusisë.

Në të njëjtin kontekst, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Turqisë është thirrur edhe ambasadori i Iranit në Ankara, Fard, vendi i të cili është gjithashtu garantues i regjimit sirian.

Këto shkelje janë trajtuar njëkohësisht gjatë takimit të djeshëm të ambasadorit Umit Yalçin, nënsekretar i Ministrisë së Jashtme të Turqisë, me përfaqësuesit e opozitës, në pritjen e organizuar për kreun e Koalicionit Kombëtar Sirian, Riad Seif.

Ditët e fundit është vënë re se forcat e regjimit, në kuadër të operacionit tokësor që po realizojnë prej kohësh në juglindje të zonës së çtensionimit në Idlib, kanë shkelur kufijtë e zonës në fjalë duke vendosur nën kontrollin e tyre disa vendbanime brenda saj.

Turqia e vlerëson këtë lloj përparimi të forcave të regjimit jo si një shkelje të thjeshtë të armëpushimit, por si dhunim të kufijve të zonës së çtensionimit në Idlib, formuar sipas marrëveshjes së arritur në Astanë nga tri vendet garantuese (Turqi, Rusi dhe Iran).



Lajme të ngjashme