Çavusoglu: Përse kushdo që ballafaqohet me probleme në Turqi, shpallet hero në Gjermani?

Në një intervistë të hënën për korrespondentin e agjencisë gjermane të lajmeve “DPA”, në Ankara, ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu, vlerësoi marrëdhëniet ndërmjet vendit të tij dhe Gjermanisë...

880012
Çavusoglu: Përse kushdo që ballafaqohet me probleme në Turqi, shpallet hero në Gjermani?

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu, shprehu të hënën pritmën e tij për një vit shumë më të mirë në marrëdhëniet me Gjermaninë duke shtuar se “Turqia nuk ka problem me Gjermaninë, por Gjermania e ka një problem me Turqinë”.

Në një intervistë për korrespondentin e agjencisë gjermane të lajmeve “DPA”, në Ankara, Mevlut Çavusoglu vlerësoi marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.

“Është e vërtetë që marrëdhëniet nuk ishin shumë të mira në treçerekun e vitit të kaluar, por më pas u shënuan disa avancime. Me Sigmar Gabrielin në veçanti kemi një dialog të mirë. Mendoj se të dyja palët janë të gatshme për normalizimin e marrëdhënieve. Pres nga 2018-a që të jetë një vit më i mirë”, u shpreh ai.

 

Çavusoglu vuri në pah gjithashtu se nga pala turke nuk shohin ndonjë krizë.

“Turqia nuk ka problem me Gjermaninë. Por Gjermania e ka një problem me Turqinë dhe Gjermania nuk e humbet rastin për të sulmuar Turqinë. Ekziston po ashtu një tendencë mjaft e rrezikshme për shpifur kundër Turqisë dhe Erdoganit. Kjo nuk është aspak e dobishme. Nuk besoj se këto e shqetësojnë presidentin, por dëmtojnë marrëdhëniet dypalëshe. Ndezin urrejtjen në të dyja palët. Përse të kem një problem me Gjermaninë? Unë ende pres një përgjigje të drejtë për pyetjen time se përse Gjermani ka problem me Turqinë”, vijoi shefi i diplomacisë turke.

Më tej, Çavusoglu foli në lidhje me gjendjen e qytetarëve gjermanë të arrestuar në Turqi.

“Si qeveri, ne s’mund të përzihemi në punën e gjyqësorit. Tekefundit, gjyqësori është i pavarur dhe ai vendos. Vini re! Dymijë turq janë të burgosur në Gjermani. Por a e ka bërë problem Turqia këtë në marrëdhënie?”, tha ai.

Mirëpo – shtoi kryediplomati turk – kushdo që arrestohet apo ballafaqohet me probleme në Turqi, shpallet hero në Gjermani.

“Përse? Mos vallë është Gjermania mbrojtësja më e madhe e të drejtave të njeriut në botë? Jo. Unë mund të jap mijëra shembuj nga shkeljet e të drejtave të njeriut në Gjermani”, theksoi ministri turk i Punëve të Jashtme.

Në vijim, ai tërhoqi vëmendjen se partia raciste mori 13 për qind të votave dhe racizmi, diskriminimi e intoleranca po shënojnë rritje në Gjermani; gjë që u pa qartë edhe në zgjedhjet e fundit.

“Gjermania duhet të kuptojë një diçka: Nëse Gjermania bën një hap drejt nesh, Turqia bën dy hapa drejt Gjermanisë. Kjo nuk është dobësi; përkundrazi, është diçka që na vjen nga thellësia e zemrës. Por nëse Gjermania e kërcënon Turqinë, atëherë edhe Turqia kundërpërgjigjet siç nevojitet”, vlerësoi ministri Çavusoglu.



Lajme të ngjashme