Zgjidhet kriza e vizave Turqi-SHBA, palët rifillojnë shërbimet e plota konsullore

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ankara njoftoi të enjten në mbrëmje rifillimin e plotë të shërbimeve të vizave në Turqi. I njëjti njoftim ka ardhur pak çaste më vonë edhe nga Ambasada e Turqisë në Uashington...

Zgjidhet kriza e vizave Turqi-SHBA, palët rifillojnë shërbimet e plota konsullore

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ankara njoftoi të enjten në mbrëmje rifillimin e plotë të shërbimeve të vizave në Turqi.

Në deklaratën e Ambasadës amerikane bëhet e ditur se që nga muaji tetor e deri më tani, autoritetet turke nuk kanë filluar ndonjë hetim të ri për stafin lokal në misionet diplomatike amerikane në Turqi.

Siç theksohet nga Ambasada e SHBA-së, autoritetet turke kanë respektuar garancinë e dhënë në nivel të lartë se nuk do të arrestojnë punonjës lokalë të Ambasadës ose konsullatave amerikane në Turqi.

Ambasada sqaron që në rast se autoritetet turke synojnë të arrestojnë ndonjërin nga punonjësit në misionet diplomatike të SHBA-së në Turqi në të ardhmen, atëherë ato së pari duhet t'i njoftojnë autoritetet amerikane para se të ndërmarrin hapin.

"Bazuar në garancinë në fjalë, Departamenti amerikan i Shtetit beson se gjendja e sigurisë është përmirësuar mjaftueshëm për të rifilluar plotësisht shërbimet e vizave në Turqi", thuhet në komunikatën e Ambasadës së SHBA-në në Ankara.

Pas SHBA-së, Turqia gjithashtu njoftoi heqjen e kufizimeve për vizat

Pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan rifillimin e plotë të shërbimeve të vizave në Turqi duke pohuar se autoritetet turke "kanë respektuar garancitë e dhëna për mosarrestim të punonjësve të misioneve diplomatike amerikane në Turqi", Ambasada turke në Uashington po ashtu njoftoi heqjen e njëkohshme të kufizimeve në regjimin e vizave duke theksuar se SHBA-së nuk i është dhënë asnjë garanci lidhur me dosjet, të cilat janë në procedim gjyqësor.

"E përshëndesim vendimin e SHBA-së për heqjen e kufizimeve të vizave për shtetasit tanë dhe kthimin në rendin e mëparshëm. Bazuar në parimin e reciprocitetit, pala jonë gjithashtu heq njëkohësisht kufizimet në regjimin e vizave për shtetasit amerikanë", thuhet në komunikatën e Ambasadës së Turqisë në Uashington.

Nga ana tjetër, ambasada është përgjigjur edhe ndaj pohimit të ambasadës amerikane, të cilët më herët theksuan se autoritetet turke nuk kanë kryer asnjë hetim ndaj punonjësve lokalë të misioneve diplomatike amerikane në Turqi dhe kanë respektuar garancinë e dhënë në nivel të lartë se nuk do të arrestojnë punonjës lokalë të Ambasadës ose konsullatave amerikane në Turqi.

"Për sa i përket garancive që përmenden në deklaratën e SHBA-së, duam të theksojmë se Turqia është shtet ligjor dhe se qeveria jonë nuk ka dhënë asnjë garanci për dosjet që janë në procedim gjyqësor. Asnjë zyrtar i asnjë përfaqësie në vendin tonë nuk është hetuar për shkak të kryerjes së detyrës zyrtare", thuhet nga Ambasada turke në kryeqytetin amerikan.

Ajo po ashtu thekson se nuk është korrekte që të keqinformohet opinioni duke pohuar se SHBA-ja ka marrë garanci nga Turqia.

Në fund të deklaratës janë shprehur shqetësime për proceset gjyqësore ndaj disa shtetasve turq në SHBA.

"Zyrtarët turq do t'i vazhdojnë bisedimet me autoritetet përkatëse amerikane në mënyrë që këto procese gjyqësore të zgjidhen në mënyrë të kënaqshme", theksohet në komunikatë.

Pezullimi i vizave nga SHBA-ja erdhi pasi autoritetet turke shqiptuan më datë 4 tetor një masë arresti me paraburgim për Metin Topuz, punonjës i Konsullatës së Përgjithshme amerikane në Stamboll, i arrestuar më 25 shtator për lidhje me organizatën terroriste gyleniste (FETO).

Paraburgimi për punonjësin e konsullatës u caktua në kuadër të hetimeve ndaj FETO-s, pasi për të dyshuarin ishte zbuluar se ka pasur kontakte me disa të dyshuar të FETO-s, përfshirë edhe ish-prokurorin e arratisur të FETO-s, Zekeriya Oz dhe ish-drejtorët e policisë, Yakup Saygili, Nazmi Ardiç, Mahir Çakalli dhe Mehmet Akif Uner, ndaj të cilëve është hapur procedim gjyqësor.

Pas arrestimit të së dyshuarit Topuz më 25 shtator, kishte pasuar reagimi i SHBA-së. Në përgjigje të këtij reagimi, Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë kishte njoftuar se "personi i paraburgosur nuk është në listën zyrtare të stafit të konsullatës amerikane dhe se nuk ka asnjë imunitet diplomatik apo konsullor". 

Pezullimi i vizave nga SHBA-ja u pasua me një kundërpërgjigje të njëjtë edhe nga Ankaraja. /AA



Lajme të ngjashme