Erdogan-Deby: Turqia dhe Çadi të bashkuar në luftën kundër terrorizmit

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, qëndroi të martën në Çad, stacioni i dytë i turneut të tij afrikan. “Turqia dhe Çadi do të qëndrojnë të bashkuar për të luftuar terrorizmin”, siguroi ai...

Erdogan-Deby: Turqia dhe Çadi të bashkuar në luftën kundër terrorizmit

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, qëndroi të martën në Çad, stacioni i dytë i turneut të tij afrikan.

Ai u prit me ceremoni zyrtare në Pallatin Presidencial, ku realizoi një takim kokë më kokë me homologun çadian, Idriss Deby, me të cilin drejtuan edhe takimin ndërmjet delegacioneve.

Në fund të takimeve kokë më kokë dhe mes delegacioneve, Erdogan dhe Deby iu përgjigjën interesit të gazetarëve në një konferencë të përbashkët shtypi.

Kreu i shtetit turk falënderoi homologun çadian për mikpritjen e demonstruar ndaj tij dhe të gjithë delegacionit shoqërues që në çastin e parë që shkelën në territoret e Çadit, si dhe u shpreh i kënaqur që ky udhëtim e bëri atë presidentin e parë të Turqisë që viziton Çadin.

“Çadi është një vend që ne i kushtojmë rëndësi. Ne ndajmë të njëjtin fat me Çadin dhe Afrikën. Synimi ynë është të zhvillojmë një bashkëpunim afatgjatë mbi bazat e parimit fito-fito, respektit të ndërsjellë dhe barazisë”, u shpreh Presidenti Erdogan.

Pasi sqaroi se pjesë e delegacionit të tij është edhe një grup i madh afaristësh, lideri turk vuri në pah se vëllimi tregtar ndërmjet Çadit dhe Turqisë është rreth 41-42 milionë dollarë.

“Këtë duhet ta rrisim me shpejtësi”, shtoi ai.

Në vijim, Erdogan u ndal mbi luftën kundër organizatës terroriste gyleniste (FETO). Ai falënderoi Presidentin Deby në emër të tij personal dhe të popullit turk për shpalljen e FETO-s “organizatë terroriste” edhe në Çad.

Lideri turk bëri me dije se shkollat e lidhura me FETO-n në Çad i janë transferuar Fondacionit “Maarif” dhe nënvizoi se Turqia do të jetë gjithnjë pranë Çadit në luftën e tij kundër terrorizmit.

“Turqia dhe Çadi do të qëndrojnë të bashkuar për të luftuar terrorizmin”, siguroi ai.

Fondacioni “Maarif” mori kohët e fundit kontrollin e shumë shkollave në të gjithë botën - të drejtuara më parë nga FETO - duke përfshirë 32 në Afrikë, sipas shifrave të lëshuara nga Ministria e Arsimit Kombëtar të Turqisë.

FETO dhe udhëheqësi i saj në SHBA, Fetullah Gulen, orkestruan tentativën e dështuar për grusht shteti më 15 korrik 2016, e cila martirizoi 250 persona dhe la rreth 2.200 të plagosur.

Sa i përket çështjes së Jerusalemit, Presidenti Erdogan tërhoqi vëmendjen se rruga e vetme për vendosjen e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Lindjes së Mesme është jetësimi i një shteti palestinez të pavarur dhe sovran brenda kufijve të vitit 1967, me kryeqytet Jerusalemin.

“Do të vazhdojmë të përpiqemi për këtë me të gjitha forcat tona”, potencoi ai.

Nga ana tjetër, kreu i shtetit turk tha se mbështesin nismën G5S (Grupi i Pesëshes së Sahelit) për të formuar një forcë të përbashkët antiterroriste duke shprehur besimin se forca e përbashkët e nismës G5S do të jetë e dobishme në luftën kundër terrorizmit dhe krimeve të organizuara në Sahel.

Kurse Presidenti i Çadit, Idriss Deby, vuri në pah se Fondacioni “Maarif” kontribuon fuqishëm në arsimimin dhe edukimin e çadianëve.

“Tashmë fëmijët tanë s’janë më në duart e terroristëve, por në duar të sigurta dhe do të vazhdojnë të arsimohen në kushte të mira. Tani fëmijët tanë nuk do të marrin më arsim në duart e terroristëve”, theksoi ai.

Lufta kundër terrorizmit – vijoi kreu i shtetit çadian – është me rëndësi maksimale, prandaj ne vendosëm që të bashkëpunojmë fuqishëm edhe në lidhje me antiterrorizmin.

Idriss Deby tërhoqi vëmendjen gjithashtu mbi marrëveshjet e shumta, që u nënshkruan gjatë kësaj vizite ndërmjet dy vendeve.

“Numri i madh i këtyre marrëveshjeve tregon edhe një tjetër herë se sa intensive janë marrëdhëniet ndërmjet Turqisë dhe Çadit”, vlerësoi presidenti çadian.

Deby tha se Turqia është një vend i madh, me një histori të gjatë dhe është e njohur në gjithë botën.

“Përgjatë historisë, ajo ka luajtur rol shumë jetik për botën myslimane dhe mbarë njerëzimin. Turqia është një urë midis Evropës, Azisë dhe botës arabe. Njëherësh, ajo ka marrëdhënie të ngushta gjithashtu me vendet e Sahelit, ku bën pjesë edhe Çadi”, tha ai duke shtuar se të dyja shtetet ofrojnë shanse të mëdha për njëri-tjetrin në fushën e bujqësisë, blegtorisë dhe teknologjisë.

Sipas Ministrisë turke të Ekonomisë, Çadi paraqet mundësi për investitorët turq në fusha si ndërtimi, bujqësia, përpunimi dhe konservimi i ushqimit, përpunimi i produkteve shtazore, tekstilet, makineritë dhe energjetika. Çadi ka po ashtu rezerva të pasura ari, uraniumi dhe nafte.

Importet e Turqisë nga Çadi arritën në 26,9 milionë dollarë gjatë periudhës janar-tetor 2017, ndërsa eksportet drejt këtij vendi ishin 14,9 milionë dollarë, sipas Institutit Turk të Statistikave (TUIK).



Lajme të ngjashme