Erdogan: Turqia e vendosur të pastrojë Afrikën nga “kriminelët e FETO-s”

Presidenti Recep Tayyip Erdogan tha të dielën se Turqia është e vendosur të pastrojë Afrikën nga organizata terroriste gyleniste (FETO), grupi që ndërmori tentativën për grusht shteti të vitit të kaluar në Turqi...

Erdogan: Turqia e vendosur të pastrojë Afrikën nga “kriminelët e FETO-s”

Presidenti Recep Tayyip Erdogan tha të dielën se Turqia është e vendosur të pastrojë Afrikën nga organizata terroriste gyleniste (FETO), grupi që ndërmori tentativën për grusht shteti të vitit të kaluar në Turqi.

Duke folur në Aeroportin “Esenboga” të Ankarasë përpara nisjes së tij për në Sudan, kreu i shtetit turk tha se FETO-ja mashtroi njerëzit përmes arsimit të shtirur dhe shërbimeve ndihmëse false.

“Turqia është e vendosur të pastrojë Afrikën nga kriminelët e FETO”, theksoi ai përpara vizitës së tij treditore në Sudan, Çad dhe Tunizi.

“Shumë vende afrikane, menjëherë pas përpjekjes së grushtit të shtetit (në Turqi), deportuan anëtarët e FETO-s dhe i transferuan Fondacionit (tonë) ‘Maarif’ shkollat ​​e drejtuara nga grupi terrorist në fjalë”, shtoi Erdogan.

Fondacioni “Maarif” mori kohët e fundit kontrollin e shumë shkollave në të gjithë botën - të drejtuara më parë nga FETO - duke përfshirë 32 në Afrikë, sipas shifrave të lëshuara nga Ministria e Arsimit Kombëtar të Turqisë.

FETO dhe udhëheqësi i saj në SHBA, Fetullah Gulen, orkestruan tentativën e dështuar për grusht shteti më 15 korrik 2016, e cila martirizoi 250 persona dhe la rreth 2.200 të plagosur.

Nga ana tjetër, Erdogan bëri me dije se nuk ka vendosur ende për një bisedë telefonike me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, pas rezolutës së miratuar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për Jerusalemin.

I pyetur mbi gjasat e një bisede telefonike me Trumpin pas miratimit të rezolutës për Jerusalemin në OKB, presidenti turk u përgjigj me këto fjalë: “Mund ta marr në telefon, por ende nuk kam vendosur për momentin.”

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së me 193 anëtarë miratoi të enjten me shumicë dërrmuese një rezolutë për Jerusalemin duke i bërë thirrje SHBA-së që të tërheqë vendimin për njohjen e Qytetit të Shenjtë si kryeqytet i Izraelit.



Lajme të ngjashme