Turqi-Kosovë, marrëveshje bashkëpunimi në fushën e kulturës

Turqia dhe Kosova nënshkruan të mërkurën në Ankara një marrëveshje për bashkëpunim kulturor. Marrëveshja u firmos nga ministri turk i Kulturës dhe Turizmit, Numan Kurtulmus dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Kujtim Gashi...

Turqi-Kosovë, marrëveshje bashkëpunimi në fushën e kulturës

Turqia dhe Kosova nënshkruan të mërkurën në Ankara një marrëveshje për bashkëpunim kulturor. Marrëveshja u firmos nga ministri turk i Kulturës dhe Turizmit, Numan Kurtulmus dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Kujtim Gashi.

Kurtulmus tha në fjalën e rastit se marrëveshja për bashkëpunim kulturor mes dy vendeve është marrëveshja e parë ndërkombëtare e qeverisë së re të Kosovës, gjë për të cilën ai tha se janë të lumtur dhe krenar.

Ministri turk theksoi se marrëveshja e nënshkruar do të forcojë marrëdhëniet mes Turqisë dhe Kosovës në fushën e kulturës duke shtuar se Kosova është shtet shumë i afërt me Turqinë për sa i përket strukturës shoqërore, përvojës kulturore dhe trashëgimisë historike.

"Nëse mund të thuhet, Kosova është shtet i afërt dhe vëllazëror me ne, i cili ende i bart gjurmët e paraardhësve tanë dhe gjurmët ku ata kanë ecur. Ne do ta zhvillojmë më tej miqësinë dhe vëllazërinë mes nesh duke i rritur aktivitetet posaçërisht në fushën e kulturës, artit dhe fusha të tjera", tha Kurtulmus.

Ai vuri në pah se ende kanë në mendje ditët kur Kosova luftonte për pavarësi duke theksuar se Turqia ka ofruar mbështetje me tërë forcën e saj.

"Populli turk mbështeti me tërë forcën e tij atë luftë për pavarësi. Ne u gëzuam si fëmijë kur Kosova fitoi pavarësinë dhe u bëmë shteti i parë që njohu atë. Kështu, Kosova është shtet që gjithnjë qëndron në zemrën dhe mendjen e Turqisë. Lus Zotin që kjo marrëveshje të përcillet nga fusha të tjera dhe në këtë mënyrë t'i forcojmë edhe më tepër marrëdhëniet miqësore mesh nesh", u shpreh Kurtulmus.

Nga ana e tij, ministri Gashi falënderoi Turqinë si për marrëveshjen e bashkëpunimit, ashtu edhe për mbështetjen në të gjitha fushat.

Gashi theksoi se mes Kosovës dhe Turqisë ekzistojnë marrëdhënie të afërta që datojnë nga e kaluara.

"Rëndësia e sotme është më e madhe, sepse ne sot po i zyrtarizojmë marrëdhëniet tona. Mendoj se me këtë marrëveshje rrugët mes dy shteteve do të jenë edhe më të hapura. Gjithsesi, marrëdhëniet tona në çdo fushë, atë të teatrit, galerive dhe ekspozitave të pikturave, ishin të forta, por në sajl të marrëveshjes, ne i forcuam ato edhe më shumë", vlerësoi Gashi.

Ministri Gashi theksoi se marrëveshja për bashkëpunim do të jetë rast që edhe institucionet e tjera të qeverive të dy vendeve të zhvillojnë punime edhe më të afërta.

"Ne hodhëm themel me këtë marrëveshje. Që tani e tutje, shpresojmë se solidariteti në aspektin material dhe shpirtëror mes dy shteteve do të rritet edhe më shumë", tha Gashi. /AA



Lajme të ngjashme