Erdogan: Projektrezolutën për Jerusalemin do ta çojmë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së

Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) tha se projektrezolutën për Jerusalemin të paraqitur në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara tani do ta çojnë në Asamblenë e Përgjithshme (të OKB-së).

Erdogan: Projektrezolutën për Jerusalemin do ta çojmë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së

Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) tha se projektrezolutën për Jerusalemin të paraqitur në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara tani do ta çojnë në Asamblenë e Përgjithshme (të OKB-së).

Presidenti Erdoan pas takimeve kokë më kokë dhe ndërmjet delegacioneve me Presidentin e Xhibutit, Ismail Omar Guelleh, që gjendet për një vizitë zyrtare në kryeqytetin Ankara, dha një konferencë të përbashkët shtypi në Kompleksin Presidencial.

Ai shprehu kënaqësinë që mirëpret si mysafir në Turqi Guelleh dhe përfaqësuesit e tjerë në delegacion dhe rikujtoi se uroi homologun e tij për 40-vjetorin e pavarësisë së Xhibutit, të fituar në vitin 1977.

“Nëpërmjet të nderuarit president uroj të gjithë vëllezërit e mi në Xhibuti” tha Presidenti Erdoan.

Kreu i shtetit turk bëri të ditur se janë gjithmonë pranë Presidentit Guelleh dhe shtoi: “Ai shprehu në mënyrë të hapur mbështetjen ndaj vendit tonë dhe solidaritetin ndaj popullit tonë menjëherë pas tentativës tradhtare të grushtit të shtetit më 15 korrik 2016. Xhibuti është një nga vendet tona mike që morën të parët masat e duhura ndaj Organizatës Terroriste Gyleniste. Duke filluar nga i nderuari President dhe të gjitha autoritetet e Xhibutit shpreh falënderimet në emrin tim de të popullit turk”.   

Erdoan nënvizoi se bota islame është duke kaluar nga një periudhë kur ndihet më shumë nevoja për unitet dhe solidaritet. “Në këtë periudhë vendet islame duhet të lënë mënjanë problemet artificiale ndërmjet tyre dhe duhet të bëhen një trup i vetëm dhe të bashkohen me njëra-tjetrën. Vizitën e Presidentit të nderuar Guelleh e shoh të rëndësishme nga aspekti i përforcimit të solidaritetit ndërmjet vendeve islame” theksoi Presidenti Erdoan.

Duke iu referuar edhe pjesëmarrjes në nivel kryeministri të Xhibutit në Samitin e Liderëve të Organizatës së Bashkëpunimit Islam, të zhvilluar në Stamboll, Erdoan tha: “Unë i falënderoj gjithashtu edhe që i dolën në mbrojtje Jerusalemit”.

Duke nënvizuar se ky samit ishte i suksesshëm në çdo aspekt, Presidenti turk e vijoi deklaratën e tij me këto fjalë: “ Ne morëm vendime kritike për mbrojtjen e të shenjtës dhe statusit historik të Jerusalemit. Ashtu siç e dini kjo çështje u paraqit edhe në platformën e Kombeve të Bashkuara. Projektrezoluta e paraqitur në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për të penguar këtë veprim të rrezikshëm, që do të ndryshojë statusin historik të Jerusalemit, për fat të keq u bllokua nga vetoja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mbështetja e projektrezolutës nga të gjitha 14 vendet e tjera anëtare është kuptimplotë. Tani shpresojmë që këtë projektrezolutë ta çojmë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Unë besoj se komuniteti ndërkombëtar do të shfaqë një qëndrim të fuqishëm ndaj drejtësisë dhe paqes. Në Asamblenë e Përgjithshme, një mbështetje që përfshin 2/3 në të vërtetë do të nënkuptonte pothuajse një refuzim të vetos në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Që këtu i ftoj edhe një herë vendet anëtare të OKB-së, që ti dalin për Zot statusit historik të Jerusalemit. Ne si Turqi do të vazhdojmë të ndjekim nga afër deri në fund këtë çështje”.

 


Lajme të ngjashme