Erdogan: Vendimi i SHBA-së për Jerusalemin s’është detyrues për vendet e tjera

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi se vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Jerusalemin nuk është detyrues për vendet e tjera...

Erdogan: Vendimi i SHBA-së për Jerusalemin s’është detyrues për vendet e tjera

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi se vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Jerusalemin nuk është detyrues për vendet e tjera.

Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët e pranishëm në avionin presidencial gjatë kthimit nga Greqia më datë 8 dhjetor, Erdogani vuri në pah se në samitin e jashtëzakonshëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islam në Stamboll (OIC), të mërkurën e 13 dhjetorit, do të merren në shqyrtim hapat që mund të ndërmerren për Jerusalemin.

Ai tha gjithashtu se po realizon një trafik të ngjeshur telefonatash me liderët botërorë për çështjen e Jerusalemit në veçanti dhe Palestinës në përgjithësi.

Ndërsa në takimet që pati në Athinë me Presidentin grek, Prokopis Pavlopoulos dhe Kryeministrin Alexis Tsipras, kreu i shtetit turk bëri me dije se kanë biseduar në lidhje me marrëveshjen Turqi-Bashkimi Evropian për refugjatët dhe negociatat për zgjidhjen e qëndrueshme të problemit qipriot.

Duke folur për vizitën e tij në Trakinë Perëndimore, Erdogani tërhoqi vëmendjen mbi të drejtat e komuniteteve pakicë, të cilat përmendjen në Traktatin e Lozanës, duke nënvizuar përpjekjet për zgjidhjen e këtyre çështjeve.

“Qëllimi ynë, si Turqi, është t’u gjejmë zgjidhje çështjeve të mbetura pezull në marrëdhëniet tona me Greqinë, me një qëndrim transparent, të sinqertë dhe konstruktiv. Ne jemi dy vende fqinj me njëra-tjetrën. Grindja nuk sjell dobi për askënd. Prandaj zhvillimet pozitive në marrëdhëniet tona na bëjnë të lumtur”, u shpreh ai.

Erdogan tha se opinionin e tij për Traktatin e Lozanës, shprehur në një intervistë me një televizion grek përpara vizitës në Athinë, ua ka përcjellë haptazi edhe bashkëbiseduesve grekë në takimet dypalëshe të datave 7-8 dhjetor.

“Në përgjigje të një pyetjeje që mu drejtua në lidhje me Lozanën, unë theksova se azhurnimi (i traktatit) mund të bëhet fare mirë nëse nevojitet”, sqaroi ai duke shtuar se Traktati i Lozanës nuk është një marrëveshje e arritur vetëm ndërmjet Turqisë dhe Greqisë.

“Përditësimi mund të bëhet mirë e bukur nëse shihet e nevojshme. Ne ndryshojmë në parlamente madje edhe kushtetutat. Por kjo çështje është bërë paksa obsesion.  Ne s’kemi synime territoriale mbi asnjë vend”, nënvizoi mes të tjerash Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.



Lajme të ngjashme