Kryeministri Yildirim: Turqia, pararojë e rikthimit në identitet

Gjatë një takimi në Stamboll me të huajt e diplomuar në Turqi, Kryeministri Binali Yildirim tha se "Lindja e Mesme po dëshmon konflikte të përgjakshme dhe vëllavrasje. Të gjithë presin një rikthim në identitet. Turqia po bën pararojën e këtij procesi"...

Kryeministri Yildirim: Turqia, pararojë e rikthimit në identitet

Kryeministri i Turqisë, Binali Yildirim, deklaroi të shtunën se sulmet me bomba dhe armë zjarri ndaj besimtarëve në namazin e xhumasë janë akte çnjerëzore dhe s’kanë të bëjnë aspak me humanizmin.

Gjatë një takimi në Stamboll me të huajt e diplomuar në Turqi, Binali Yildirim dënoi sulmin terrorist të së premtes në Egjipt.

Në vijim të fjalës së rastit, ai theksoi se mbi 55 milionë njerëz në mbarë botën kanë aktualisht statusin e refugjatit.

“Vetëm 25 shtete në botë kanë një popullsi të tillë ose më të madhe. Kjo do të thotë se vendi i 26-të më i madh në botë i takon të jetë shtet refugjatësh. Ja pra, kjo është bota në të cilën jetojmë. Kjo botë nuk ka lumturi dhe shpresë për miliarda njerëz”, u shpreh kreu i ekzekutivit turk.

Prandaj – vijoi Yildirim – shtetet nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara duhet të marrin shumë më tepër përgjegjësi, duhet të shtyjnë mënjanë konkurrencën dhe të bashkëpunojnë më shumë për zgjidhjen e problemeve dhe krizave.

Shefi i Ankarasë zyrtare vuri në pah gjithashtu se një numër i konsiderueshëm i të huajve të diplomuar në Turqi kanë marrë tashmë poste të rëndësishme në vendet e tyre.

“Emëruesi i përbashkët i të gjithë neve është vëllazëria e përjetshme e jonë dhe e vendeve tona”, tha ai.

Kryeministri sqaroi se objektivi i qeverisë është që numri i studentëve mysafirë në Turqi të arrijë në 20 milionë në vitin 2030, nga 7 milionë që është aktualisht.

Turqia – shtoi Yildirim – është kthyer në atraksion për studentët e huaj dhe vetëm në 2017-n janë diplomuar plot 7.500 vetë.

Kjo, sipas tij, buron nga fakti që Turqia është tashmë një vend, i cili garanton stabilitetin, paqen dhe sigurinë në rajon.

“Turqia është vendi që marshon drejt së ardhmes. Në të kaluarën dhe sot marshimi ynë s’është transformuar në dëm të njerëzimit, s’do të transformohet as në të ardhmen. Lindja e Mesme po dëshmon sot konflikte të përgjakshme dhe vëllavrasje. Të gjithë presin një rikthim në identitet. Turqia po bën pararojën e pikërisht këtij rikthimi në identitet. Prandaj edhe Presidenti ynë i komunikon të gjithë globit mesazhin ‘bota është më e madhe se 5’. Këtë po bëjmë ne”, vlerësoi ndër të tjera Kryeministri Yildirim.



Lajme të ngjashme