Yildirim: Bota ka nevojë për një konventë digjitale kundër krimit kompjuterik

Në fjalën që mbajti në një konferencë ndërkombëtare për tregtinë elektronike në Antalya Kryeministri Binali Yıldırım tha se bota ka nevojë për një konventë ndërkombëtare për krimet kompjuterike përballë rritjes marramendëse që po shënon sot kjo tregti.

852440
Yildirim: Bota ka nevojë për një konventë digjitale kundër krimit kompjuterik

Kryeministri Binali Yıldırım tha se për krimet kompjuterike duhet të ketë një marrëveshje globale.

Binali Yildirim mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të “e-Tregti” (tregtia elektronike), që u zhvillua të martën në qendrën turistike Belek të nënprefekturës Serik të Antalyas, ku dhe mbajti një fjalim. 

Në fjalimin e tij kryeministri tha se për të pasur një vetëdije globale në informatikë ka nevojë për krijimin e disa konventave, të ngjashme me konventat e Kombeve të Bashkuara (OKB).

"Parlamenti i Këshillit të Evropës e ka nxjerrë një diçka të tillë, por kjo nuk mjafton. Për informatikën dhe luftën kundër krimit kibernetik ka nevojë për një konsensus global (konventë) të arritur me një pjesëmarrje më të gjerë. Përndryshe ekziston mundësia që konfliktet, mosmarrëveshjet midis vendeve të shtohen në përmasa shumë serioze”,- tha ai, duke shtuar se siguria kibernetike po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme.

Krimet e kryera në internet janë më të rënda se sa krimet që bëhen në botën e vërtetë. Ka sfida të mëdha në verifikimin e këtyre lloj krimeve, e drejta ndërkombëtare është e pamjaftueshme, si rrjedhim është i pamundur edhe kompensimi i dëmit, shtoi Jëlldërëm.

Duke vënë në dukje se siguria kibernetike po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme, Kryeministri Jëlldërëm e vazhdoi kështu fjalën e tij:

"Për vendet që nuk arrijnë të bëjnë progres në këtë fushë, interneti nuk do të jetë më një lehtësi, por do të kthehet në kërcënim, ndëshkim dhe barrë. Prandaj ndërkohë që po realizojmë qëllimet tona për një shoqëri digjitale, ne duhet të angazhohemi edhe me këtë çështje”.

Çdo lloj informacioni, duke filluar që nga shëndetësia e deri tek tregtia, arsimi, mbrojtja, pra çdo gjë sot është transferuar në mjedisin elektronik, nënvizoi Jëlldërëm.

Falë investimeve që janë bërë gjatë 15 viteve të fundit, në Turqi është shënuar një progres në kuptimin serioz edhe në çdo fushë të komunikacionit. Depërtimi (penetrimi) në internet me brez të gjerë në Turqi sot është mbi 60%, tha Jëlldërëm.

“Vjen duke u rritur gjithnjë e më shumë vëllimi i veprimeve që realizohen përmes internetit, kurse tregtia elektronike sot po zhvillohet me një shpejtësi marramendëse. Pjesa që zë tregtia elektronike brenda tregtisë globale është katërfishuar këto katër vitet e fundit dhe vazhdon të rritet me një rritje vjetore 100%. Numri i atyre që sot përdorin smartfonët në Turqi është mbi 70 milionë, pra duke u nisur nga kjo shifër mund të themi se tregtia elektronike përbën një fushë shumë të rëndësishme për vendin tonë”, vijoi Jëlldërëm.

“Tregtia elektronike po përhapet gjithnjë e më shumë, rritja vazhdon të jetë shumëfishe edhe pse rritja globale është nën 3 për qind”,- tha Jëlldërëm dhe shtoi: "Në procesin e ardhshëm do të marrim masa të reja në drejtim të rritjes së nivelit të njohjes, reputacionit, përsosjes së fuqisë konkurruese kombëtare dhe ndërkombëtare të sipërmarrësve në fushën e tregtisë elektronike. Objektivi ynë për vitin 2023 për tregtinë elektronike, ndërsa po shkojmë drejt 100-vjetorit të Republikës, është 350 miliardë lira turke (rreth 90 miliardë dollarë)”. 

Kryeministri Jëlldërëm në fund tha se sipas paritetit të fuqisë blerëse Turqia është vendi i 13-të më i madh i botës, ndërkohë që Turqia realizon sot 6 nga gjithsej 10 megaprojektet e botës.



Lajme të ngjashme