Albayrak: Turqia ka shënuar 6 për qind rritje ekonomike në 15 vitet e fundit

Ministri i Energjetikës dhe Burimeve Natyrore, Berat Albayrak, bëri me dije të premten se niveli i rritjes ekonomike të Turqisë në 15 vitet e fundit është 6 për qind...

Albayrak: Turqia ka shënuar 6 për qind rritje ekonomike në 15 vitet e fundit

Ministri i Energjetikës dhe Burimeve Natyrore, Berat Albayrak, bëri me dije të premten se niveli i rritjes ekonomike të Turqisë në 15 vitet e fundit është 6 për qind.

“Kjo është një performancë, që shkakton xhelozi në botë, pavarësisht nëse disa e pranojnë ose jo”, deklaroi Berat Albayrak gjatë një fjalimi në Stamboll.

Ai tha se Turqia po kalon ditë të rëndësishme dhe historike, ndërkohë që ky qindvjeçar shënon një epokë të thyerjes edhe në botë.

Albayrak tërhoqi vëmendjen se përmes naftësjellësit Baku-Tbilis-Ceyhan është plotësuar një nga hallkat e zinxhirit naftë-gaz-transport, të cilin ai e quajti “treshja e dekadës së fundit”.

“Një tjetër hallkë e këtij zinxhiri është gazi natyror dhe në këtë pikë, një projekt historik në aspektin e sigurisë së furnizimit me energji për Evropën dhe botën është Tubacioni Transanadollas i Gazit Natyror (TANAP). Rrjedhimisht, e vetëdijshme për realitetin e dështimit në realizimin e Gazsjellësit Nabucco, projekt për të cilin Evropa ka folur për dhjetëra vite me radhë, Turqia iu përvesh punës dhe jetësoi TANAP-in me një lidership të madh, iniciativë të vendosur dhe aplikim strategjik të përsosur në terren. Me lejen e Allahut, ne do të pompojmë gazin e parë testues duke filluar nga muaji janar dhe gjatë verës 2018 do të bëjmë përurimin zyrtar”, u shpreh ai.

Më tej, shefi i Energjetikës dhe Burimeve Natyrore të Turqisë sqaroi se përpara vitit 2030 parashikohet që fuqia ekonomike e Kinës dhe Indisë të jetë më e madhe sesa totali i vendeve të G7-s, ndërkohë që popullsia e këtyre dy vendeve mund të arrijë në mbi 3 miliardë banorë.

“Në 10 vitet e fundit, importi vjetor mesatar i energjisë dhe mineraleve në Turqi ka vlerën e 55 miliardë dollarëve dhe kjo shumë është 1,5 herë më e madhe sesa deficiti korrent i vitit të kaluar”, vuri në pah ministri Albayrak.



Lajme të ngjashme