Çavusoglu për “El Mercurio”: Kili, vend kyç në politikën e Turqisë për Amerikën Latine

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu, bëri me dije se Ankaraja dëshiron të thellojë marrëdhëniet me Amerikën Latine duke shtuar gjatë viteve në vijim edhe numrin e misioneve diplomatike në vendet e këtij rajoni...

Çavusoglu për “El Mercurio”: Kili, vend kyç në politikën e Turqisë për Amerikën Latine

Shefi i diplomacisë turke ka publikuar një artikull në numrin e sotëm (01.11.2017) të gazetës kiliane “El Mercurio”. Ai shkruan se partneriteti i Turqisë me Amerikën Latine dhe vendet e Karaibeve mundëson një bashkëpunim shumëdimensional, ndërsa tërheq vëmendjen se edhe përpjekjet globale të dy vendeve do të kontribuojnë për një botë më të drejtë dhe një zhvillim më gjithëpërfshirës e të qëndrueshëm.

Çavusoglu thekson se Ankaraja kujton me mirënjohje faktin që Kili është shteti i parë i Amerikës Latine, i cili ka njohur Republikën e Turqisë kur themelohej në vitin 1923.

Pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Miqësisë ndërmjet Turqisë dhe Kilit në vitin 1926 – potencon ministri turk i Punëve të Jashtme – marrëdhëniet dypalëshe kanë mbërritur deri më sot duke u transformuar në një partneritet konkret.

“Vlerat e përbashkëta kanë bërë të mundur bashkimin e dy shteteve gjeografikisht të pozicionuara në rajone të ndryshme të botës. Jemi të mendimit që tashmë është koha për ta ngritur partneritetin tonë në nivele të reja. Kemi bindjen se ky partneritet premtues do të hapë dimensione të reja për të zbuluar të gjithë potencialin e marrëdhënieve tona ekonomike, tregtare dhe politike”, shprehet ai.

Kryediplomati turk rikujton se vendi i tij ka pasur nderin të presë dekadave të fundit disa ish-presidentë kilianë, Ricardo Lagos në vitin 2004 dhe Sebastian Pinera në 2012-n, ndërkohë që Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka vizituar Kilin në fillim të vitit 2016. Më tej ai nënvizon se në 2016-n, dy vendet kanë festuar gjithashtu 90-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, marrëdhënie këto që vijojnë sot në nivel të përkryer, sikurse dhe zhvillohet dita-ditës bashkëpunimi i qëndrueshëm turko-kilian.

Turqia – vijon Çavusoglu – ka vullnet maksimal për të ndërmarrë rol aktiv në trajtësimin e mjedisit politik rajonal dhe global, ndërsa përpiqet të fuqizojë partneritetet e saj me vendet e Amerikës Latine dhe Karaibeve.

“Teksa përpjekjet tona globale do të kontribuojnë për një botë më të drejtë dhe një zhvillim më gjithëpërfshirës e të qëndrueshëm, partneriteti ynë gjithashtu mundëson një bashkëpunim shumëdimensional”, vlerëson ai.

“Siç tërhoqi vëmendjen edhe homologu im kilian, Heraldo Munoz, gjatë Konferencës 8. të Ambasadorëve vitin e kaluar në Ankara, bota po bëhet gjithnjë e më komplekse dhe më e ndërlikuar”, konfirmon ministri i Jashtëm turk.

Çavusoglu vë në pah se probleme si terrorizmi, sulmet kibernetike, sëmundjet epidemike, krizat humanitare, diskriminimi, krimet e urrejtjes, mungesa e tolerancës karshi besimeve fetare dhe kulturave të ndryshme, ndryshimet klimatike, varfëria dhe uria kërcënojnë realisht paqen globale dhe për më tepër vetë njerëzimin.

“Këto probleme mund të kapërcehen vetëm me një bashkëpunim më të mirë, për të mirën e familjes globale”, nënvizon ai.

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë rikujton mes të tjerash se vendi i tij ofron shërbime me 13 ambasada dhe 1 konsullatë të përgjithshme në Amerikën Latine e Karaibe, ndërkohë që shtete e këtij rajoni kanë 12 ambasada në Ankara. Ai njofton gjithashtu se Turqia dëshiron të thellojë marrëdhëniet me Amerikën Latine duke shtuar gjatë viteve në vijim edhe numrin e misioneve diplomatike në vendet e këtij rajoni.

“Kili është një nga partnerët tanë esencialë në politikën tonë për Amerikën Latine dhe Karaibet, por edhe një nga shtetet, që gëzojmë marrëdhëniet më të fuqishme në rajon. Kili është partneri i 4-t tregtar i Turqisë në Amerikën Latine dhe i vetmi në këtë rajon, me të cilin ne kemi nënshkruar marrëveshje për tregtinë e lirë”, bën me dije Çavusoglu.

Në fund, ai thekson se Turqia dhe Kili kanë bërë progres të rëndësishëm gjithashtu me bashkëpunimin e tyre në fushën e industrisë së mbrojtjes.



Lajme të ngjashme