TRT World Forum – Erdogan: E papranueshme një botë, ku të drejtë ka vetëm i forti

Kreu i shtetit turk mori pjesë në sesionin mbyllës të “TRT World Forum”, organizuar në Stamboll, ku theksoi se një botë, ku të drejtë ka vetëm i forti, është e papranueshme...

TRT World Forum – Erdogan: E papranueshme një botë, ku të drejtë ka vetëm i forti

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi të enjten se një botë, ku të drejtë ka vetëm i forti, është e papranueshme.

Kreu i shtetit turk mori pjesë në sesionin mbyllës të “TRT World Forum”, organizuar në Stamboll.

Ai e nisi fjalën e tij me në thirrje për botën mbarë duke vënë theksin veçanërisht mbi drejtësinë.

“Nëse kemi demokraci, nëse kërkojmë drejtësi, atëherë të kapemi dorë për dorë dhe të themi se bota është më e madhe se 5”, tha Erdogan.

Lideri turk kritikoi më tej ndihmat në armatime të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për PYD/YPG-në, fraksioni sirian i organizatës separatiste terroriste PKK.

“Sa e arsyeshme dhe e logjikshme është asgjësimi i një organizate terroriste me një tjetër organizatë terroriste?”, pyeti ai.

Erdogan reagoi gjithashtu ndaj qëndrimit të Evropës në lidhje me organizatat terroriste duke thënë se PKK-ja figuron si organizatë terroriste në regjistrat e Bashkimit Evropian e megjithatë vendet anëtare të BE-së vazhdojnë të mos nisin procedurat ligjore për dosjet, që Turqia u ka dërguar për terroristët.

Në vijim, presidenti turk u ndal mbi strukturën e organizatës terroriste gyleniste (FETO) jashtë shtetit.

“Kreu terrorist i FETO-s jeton në Pensilvani (SHBA). Ky person administron 170 vende prej atje. Sigurisht që ky person është simbolik, por kush qëndron pas tij është ndryshe”, vlerësoi ai.

Mes të tjerash, Presidenti Erdogan foli edhe për krizën e vizave ndërmjet Turqisë dhe SHBA-së.

“Kush është ky ambasador (ambasadori i SHBA-së në Ankara)? Nëse ai (ambasadori) mund të thotë me një paragraf të vetëm në emër të një shteti të madh si SHBA-ja se ‘ne kemi pezulluar vizat’, atëherë edhe mua më duhet të rishikoj këtë partneritet strategjik”, komentoi Erdogan.

Presidenti i Turqisë tha gjithashtu se shpreson që të sheshohen plotësisht edhe problemet në vendet e Gjirit, ndërsa tërhoqi vëmendjen se baza ushtarake turke në Katar i është propozuar edhe Arabisë Saudite.

“Unë këtë çështjen e ngritjes së bazës ia kam propozuar edhe Arabisë Saudite. Po të na kishte ardhur një përgjigje nga atje, atëherë edhe atje do të kishim ngritur një bazë. Gjiri u lejon shteteve të ndryshme që të ndërtojnë baza. Mirë, po Turqinë përse nuk e lejon në këtë pikë?”, shtoi ai.

Në fund, Presidenti Erdogan tha se Turqia ka ndihmuar me 30 miliardë dollarë “mysafirët”, që janë arratisur nga lufta civile në Siri dhe strehuar në vendin e tij që prej vitit 2011 e këtej.



Lajme të ngjashme